SPAK kërkoi leje nga Kuvendi për arrestimin e Ahmetajt, Bardhi me shkresë zyrtare Nikollës: Thirr këshillin e mandateve

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, njëherazi anëtar i Këshillit të Mandateve, i ka kërkuar Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla zyrtarisht që të mbledhë Këshillin e Mandateve sot pasdite për Arben Ahmetajn, duke theksuar se po i fsheh deputetëve, në Kundërshtim me Rregulloren kërkesën dhe dokumentet e dërguara nga Prokuroria.

 

“Sa kohë kërkesa përmban edhe nevojën për të autorizuar kontrollin e banesës së deputetit, për të shmangur çdo vonesë që do t’i jepte kohë z. Ahmetaj të kryente veprime që mund të pengonin drejtësinë, përmes zhdukjes apo fshehjes së provave, në mbështetje të nenit 13, pika 6 dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, në emër të 5 anëtarëve të opozitës kërkojmë thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ditën e hënë, datë 10.07.2023, ora 18:00”, thekson Bardhi.

AlbEu ka siguruar kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për arrestimin e deputetit.

Gjithashtu në kërkesën drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla është kërkuar kontrolli i banesës së deputetit të PS-së.

“Kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetit. Duke qenë se hetimet në kuadrin e procedimit penal nr277/1 të vitit 2022 vazhdojnë në drejtim edhe të fakteve të tjera penale apo personave të tjerë të implikuar në ndodhjen e tyre, me qëllim respektimin e kuadrit ligjor procedurial penal mbi ruajtjen e sekretit hetimor, bazuar në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kërkojmë që çdo procedurë që do të zhvillohet, në lidhje me këtë kërkesë, nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, të zhvillohet në seancë me dyer të mbyllura”, shkruhet në dokument.

Me kërkesën e SPAK, pritet që Ahmetajt t’i hiqet imuniteti i deputetit për t’i hapur rrugë arrestimit të tij.

Tashmë është në dorën e PS nëse do të dorëzojë Ahmetajn në qeli apo jo.

Brenda pesë ditëve, palët, Ahmetaj dhe SPAK do të paraqiten në komision, këshillin e mandateve për të dhënë provat dhe nëse deputetët do të binden do ta dorëzojnë./albeu.com