Pasditja e sotme e ka gjetur ish-kreun e PD-së Lulzim Basha në Fier.
Sipas tij, riorganizimi i Partisë Demokratike dhe përgatitja për përballjen e ardhshme elektorale me kundërshtarin tonë politik, kalon përmes hapjes, modernizimit dhe fuqizimit të çdo strukture.
Përfshirja e të rinjve, diasporës, e profesionistëve me integritet, e shtresave që historikisht kanë përbërë ashtin e forcës së djathtë politike do të jenë në qendër të procesit, sipas tij.
Ai premton se do të ofrojë një alternativë të vlerave me një projekt të qartë ndryshimi, që vetëm Partia Demokratike mund ta garantojë.
Postimi i plotë:
Riorganizimi i Partisë Demokratike dhe përgatitja për përballjen e ardhshme elektorale me kundërshtarin tonë politik, kalon përmes hapjes, modernizimit dhe fuqizimit të çdo strukture. Përfshirja e të rinjve, e diasporës, e profesionistëve me integritet, e shtresave që historikisht kanë përbërë ashtin e forcës sonë politike, të përndjekurit dhe pronarët, do të jetë në qendër të procesit që kemi nisur. Të vetëdijshëm se shkëputja nga anët e errëta të të shkuarës sonë çel rrugën për një parti edhe më përfshirëse se më parë, në aleancë me qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë, do të ofrojmë një alternativë të vlerave me një projekt të qartë ndryshimi, që vetëm Partia Demokratike mund ta garantojë.
Beteja e drejtë dhe rëndësishme që ne kemi zhvilluar për miratimin e ligjit të Dekriminalizmit duhet çuar edhe më tej, në mënyrë të tillë që ngjarjet e tmerrshme si ajo e Fushë Krujës të mos përsëriten dhe integriteti i të zgjedhurve të mos cënohet nga përfshirja e kriminelëve të lidhur me pushtetin. Për këtë arsye vetting-u për politikanët është sot një prioritet për të siguruar që institucionet të drejtohen nga njerëz që votohen për të shërbyer në interes të qytetarëve, jo të bandave.
Ky është modeli për të cilin Partia Demokratike qëndron me vendosmëri, sepse besojmë fortë se pusheti u përket qytetarëve të ndershëm të këtij vendi dhe ata duhet të jenë të lirë ta ushtrojnë larg modeleve destruktive që kanë shkatërruar zgjedhjet dhe përfaqësimin politik.
Pastrimi i politikës nga çdo lidhje me krimin dhe korrupsionin, garantimi i garës përmes listave të hapura, kufizimi i mandateve dhe vota e diasporës do të ndryshojnë rrënjësisht cilësinë e vendimmarjes në çdo nivel të politikës shqiptare, duke përmirësuar përfaqësimin e qytetarëve dhe garantuar që në zyrat e shtetit të shkojnë njerëz me integritet, përgjegjshmëri dhe besueshmëri, që mëshirojnë vlera dhe veprojnë në shërbim të interesit publik./Albeu.com