Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, konfirmoi gatishmërinë e vendeve anëtare të bllokut evropian për të ndërmarrë masa të reja të mëtejshme, nëse nuk ka përparim në drejtim të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës, veçanërisht sa i përket organizimit të zgjedhjeve të reja në katër komunat në këtë zonë.
“Vetëm ato [shtete anëtare] mund ta bëjnë këtë gjë. Masat do të godasin aspektet politike dhe ekonomike të marrëdhënieve tona. Dhe si ta bëjmë atë? Ne po punojmë në mënyrë shumë të strukturuar dhe do të fillojmë të shikojmë se çfarë masash mund të merren në rast se përfundimisht nuk arrijmë një marrëveshje për shpalljen e zgjedhjeve”- tha Borrell pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së.
Në agjendën e këtij takimi ishte edhe Kosova dhe Serbia, pas rritjes së tensioneve muajve të fundit në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
BE tashmë po zbaton një seri masash ndaj Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit të vendit, Albin Kurti, për shkak të hezitimit të këtij të fundit të që përfillë kërkesat evropiane ku përshihen: largimi i njësive speciale të policisë nga objektet komunale, largimi i kryetarëve të komunave dhe që ata të kryejnë punën nga lokacione alternative dhe shpallja e zgjedhjeve të reja.
“Dhe që gjithçka të jetë në rregull, duhet të kemi zgjedhje. Jemi dakord që zgjedhjet duhet të bëhen. Ne ramë dakord që nuk mund të kemi përgjithmonë kryetar komunash në zyra që mbrohen nga trupat e NATO-s, që kanë fituar 2 ose 3 për qind të votave [në zgjedhjet lokale të 23 prillit]. Kjo nuk është një zgjidhje e qëndrueshme. Pra, nëse kjo nuk është e qëndrueshme, duhet të zëvendësohet me një zgjidhje tjetër. Dhe zgjidhja tjetër mund të vie vetëm me mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Dhe këtë duhet të bëjnë të dyja palët: zgjedhje me pjesëmarrjen e serbëve, sepse përndryshe do të kemi të njëjtën situatë sikur sot”, nënvizoi Borrell.
Përfaqësuesi i lartë i BE ka lënë të kuptohet se ambasadorët e shteteve anëtare së shpejti do të fillojnë të diskutojnë për masat e reja në rast se nuk arrihet një marrëveshje për shpalljen e zgjedhjeve të reja. Zyrtari evropian porositi se këto masa janë të përkohshme dhe të kthyeshme. Borrell ka raportuar para ministrave të Jashtëm të BE-së lidhje me takimin urgjent krize të cilin ai e organizoi më 22 qershor ne Bruksel me bartësit e dialogut nga Kosova dhe Serbia.
Ai pranoi se pala evropiane propozoi një “rrugë të balancuar për daljen nga kriza”, por se takimi nuk prodhoi rezultate. Në emër të shteteve anëtare të BE-së, Borrell përshëndeti lirimin e tre policëve të Kosovës që po mbaheshin në paraburgim në Serbi.
Bashkimi Evropian ka pritur se do të ketë ulje të tensioneve pas takimeve të fundit që Borrelli ka pasur me dy liderët në Bruksel, një javë më parë. Liderët nuk janë takuar me njëri-tjetrin, por vetëm me Borrellin, veç e veç.
Tensionet në veri të Kosovës janë rritur prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut. Popullata serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet, ka kundërshtuar veprimin e kryetarëve dhe ka mbajtur vazhdimisht protesta para ndërtesave.
Tensionet janë rritur edhe më kur autoritetet e Serbisë i kanë arrestuar tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Kosova ka thënë se bëhet fjalë për rrëmbim, Serbia ka thënë se policët janë arrestuar në territorin serb. Ditëve të fundit, autoritetet e Kosovës janë duke arrestuar disa pjesëtarë të komunitetit serb, që dyshohet se kanë marrë pjesë në dhunën kundër pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve që raportojnë nga veriu.
Serbia dhe pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë i konsiderojnë këto arrestime si arbitrare. Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbisë që t’i ulin urgjentisht tensionet dhe që Prishtina t’i organizojë zgjedhjet e reja.
Situata në Kosovë dhe dialogu i lehtësuar nga BE-ja do të jenë temë diskutimi edhe në disa takime tjera të nivelit të lartë në BE, këtë javë.
Të martën i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak, dhe Drejtori i Përgjithshëm në Komisionin Evropian në Drejtorinë për Zgjerim Jan Koopman, do të marrin pjesë në një diskutim në Parlamentin Evropian për zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky diskutim do të zhvillohet në Komisionin për Politikë të Jashtme. Aty pritet të flitet edhe për takimet e fundit të realizuara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, por edhe për masat që Komisioni Evropian tashmë ka nisur t’i ndërmarrë ndaj Kosovës, si masë ndëshkuese për zhvillimet në veri.
Deri më tani janë anuluar disa takime të përbashkëta mes Komisionit Evropian dhe Kosovës, që ekzistojnë në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Situata në Kosovë dhe procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë pritet të jenë temë diskutimi edhe në takimin e Këshillit Evropian, pra samitin e liderëve të vendeve anëtare.
Diçka e tillë, sipas diplomatëve të BE-së, tregon përkushtimin, por edhe shqetësimin që ka blloku për situatën në Kosovë dhe për raportet mes Prishtinës dhe Beogradit.
Nga këto takime pritet që Kosovës dhe Serbisë t’iu bëhet thirrje për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe kthimin në dialog. Por, dy vendeve pritet edhe t’iu tërhiqet vërejtja për pasojat që mund t’i kenë, në rast se nuk dëshmojnë vullnet për sjellje të matur dhe konstruktive./ REL