Kryeministri i vendit Edi Rama i ka kërkuar Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të ulin gjakrat në lidhje me situatën në veri.
Përmes një postimi në Twitter, Rama paralajmëron rikthimin e marrëdhënieve të akullta Shqipëri-Serbi.
Ndërsa homologut të tij, Albin Kurti i bën thirrje që të dalë nga guacka e vetizolimit, ashtu siç e quan kreu i qeverisë dhe mos e humbë Kosovën.
Edi Rama: Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!
Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës!
E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!
Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen! pic.twitter.com/45jylz0zGK
— Edi Rama (@ediramaal) June 19, 2023
Situata u përkeqësua më 14 qershor pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.
Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë. Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se “arrestimi i tyre dhe mbajtja në paraburgim nën akuza të pabaza kanë përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”./Albeu.com/