Qeveria amerikane dhe agjencitë e saj drejtuese nën shënjestër të sulmeve kibernetike

Disa agjenci qeveritare amerikane janë goditur në një fushatë globale hakerimi që ka shfrytëzuar një dobësi në një softuer të përdorur zakonisht, raporton Zëri i Amerikës.

Agjencia Amerikane e Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës (CISA) aktualisht po ofron mbështetje për disa agjenci qeveritare që janë komprometuar nga hakerat që shfrytëzojnë një dobësi të sigurisë së softuerit, tha për CNN Eric Goldstein, zëvendësdrejtor i CISA për sigurinë kibernetike.

Emri i softuerit të prekur nuk u dha, as nuk u dhanë detaje të mëtejshme se çfarë dobësie të supozuar u identifikua. CISA nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të Reuters për koment. FBI dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA (NSA) gjithashtu nuk i janë përgjigjur ende pyetjeve të gazetarëve me email.

Dobësitë në disa nga produktet softuerike të njohura kanë çuar në mënyrë të përsëritur në ndërhyrjen e hakerëve në sistemet e organizatave të shumta në mbarë botën. Më e fundit ishte kur një dobësi në softuerin e transferimit të të dhënave MOVEit çoi në rrezikimin e të dhënave të organizatave, duke përfshirë BBC, Boots dhe British Airways.

Nuk dihet ende nëse hakimi i ri ka lidhje me ndërhyrjen në sistemet e qeverisë amerikane që u zbulua së fundmi.

Grupi i “shantazhit” online C10p – i cili mori përgjegjësinë për hakerimin e softuerit MOVEit – më parë tha se nuk do të shfrytëzonte asnjë të dhënë të marrë nga agjencitë qeveritare.

“Nëse jeni një departament qeverie, qyteti ose policie, mos u shqetësoni, ne i kemi fshirë të gjitha të dhënat tuaja”, tha grupi në faqen e tij të internetit.

Cl0p nuk iu përgjigj menjëherë një mesazhi nga një gazetar që kërkonte koment mbi incidentin. Prodhuesi i softuerit MOVEit – Progress Software Corp – gjithashtu nuk i është përgjigjur ende një pyetjeje të Reuters.


Shtuar 15.06.2023 21:33