I shpallur në kërkim ndërkombëtar, kapet në Rinas egjiptiani i rrezikshëm

Një tjetër person me rrezikshmëri të lartë shoqërore i shpallur në kërkim ndërkombëtar vihet në pranga nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Policisë Kufitare Rinas,  Interpol Tiranës dhe homologëve, kapet në hyrje në Rinas, një shtetas egjiptian i dyshuar për vrasje me dashje, tentativë vrasjeje dhe armëmbatje pa leje.

Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në kuadër të kontrolleve të shtuara dhe verifikimeve të detajuara të dokumenteve të udhëtimit, kryesisht të personave që shfaqin probleme apo dyshime gjatë intervistimit, me qëllim kapjen e personave të shpallur në kërkim, falë edhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, për mundësinë e hyrjes në Shqipëri të një shtetasi egjiptian me rrezikshmëri të lartë shoqërore për krime ndaj personit, kanë ndaluar në hyrje një person të dyshuar.

Si rezultat i bashkëpunimit të ZQK Interpol Tirana me zyrat homologe, pas një intervistimi të detajuar nga Policia Kufitare e Rinasit u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi provizor me qëllim ekstradimi i shtetasit egjiptian M. R., 50 vjeç.

Ky shtetas konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore nga autoritetet egjiptiane dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje me dashje, tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.

Më datë 06.11.2019, në Giza / Egjipt, ky shtetas ka vrarë me armë zjarri shtetasin egjitpian M. A., më pas ka marrë automjetin e viktimës dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

ZQK INTERPOL Tirana, në bashkëpunim me INTERPOL Kajron do të vijojë procedurat për ekstradimin e tij drejt Egjiptit, bazuar në marrëveshjen e ekstradimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Arabe të Egjiptit, ratifikuar në vitin 2004./albeu.com


Shtuar 22.05.2021 11:01