Kryetari i VMRO-DPMNE-së në Maqedoninë e Veriut, Hristijan Mickoski, në një intervistë në Tv Sitel mbrëmjen e djeshme, theksoi se në takimin me kryeministrin me Dimitar Kovaçevskin, ka ofruar tri data për zgjedhje të parakohshme për këtë vjeshtë, ose edhe Qeveri të gjerë.
“I thashë propozimin tim për zgjedhjet që do të mbaheshin këtë vjeshtë, dhe i sugjerova tri data të mundshme: 24 shtator, 1 tetor ose 8 tetor. Le të shkojmë në zgjedhje, kushdo që mposhtet të mbështesë fituesin në mbrojtje të interesave kombëtare. Pra, le të kërkojmë garanci për identitetin shekullor maqedonas, kulturën, traditën, veçantinë, zakonin dhe gjuhën nga Këshilli Evropian”, theksoi Mickoski.
Mickoski tregoi se kërkon paketë ekonomike nga BE për projekte për nevoja esenciale të qytetarëve në formë të grantit dhe linjës kreditore për ekonominë e Maqedonisë së Veriut. Ndërsa sa i përket Qeverisë së zgjeruar, ai ka propozuar një Qeveri pa BDI-në.