Një grup senatorësh amerikanë të udhëhequr nga senatorja Jeanne Shaheen, thanë të mërkurën se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, duhet të punojnë për të ulur tensionet në veri të Kosovës.Senatorët paralajmëruan se dështimi për të bërë një gjë të tillë do të mund të dëmtonte marrëdhëniet e të dyja vendeve me Shtetet e Bashkuara.
“Si ligjvënës amerikanë, përtej linjave partiake, jemi gjithnjë e më të shqetësuar më situatën e brishtë e sigurisë në veri të Kosovës. Sot, ne ritheksojmë se ka mbështetje të gjerë dypartiake në Senatin amerikan për përpjekjet e Bashkimit Evropian në bashkërendim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, për të ndërmjetësuar një rrugë përpara. Por, që një zgjidhje të jetë e qëndrueshme, si kryeministri Kurti ashtu edhe presidenti Vuçiç duhet t’i dëgjojnë menjëherë thirrjet ndërkombëtare për të shtensionuar situatën, për të rikthyer besimin e qytetarëve në institucionet vendore në veri dhe për t’u angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit duke themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë”, thuhet në deklaratë.
Senatorët u bënë thirrje të udhëheqësve që ndërsa shqyrtojnë hapat e tyre të ardhshëm, të zgjedhin paqen, përparimin dhe sigurinë e qytetarëve të tyre.
“Dështimi për të ulur tensionet do të shkaktonte veprime me pasoja nga perëndimi, i cili ka punuar me zell për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në rrugë përpara, dhe pa rrezikon pa nevojë të dobësojë marrëdhëniet tona dypalëshe. Kjo nuk është në interesin e askujt. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë në mirëbesim me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për të gjetur një zgjidhje pa vonesë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të senatores Shaheen me kolegët e saj Chris Murphy, Chris Van Hollen, Ben Cardin, Thom Tillis dhe Pete Ricketts.
Tensionet pasuan vendimin e qeverisë në Prishtinë për të dërguar në zyrat komunale në veri kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se ulja e tensioneve, mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri dhe kthimi në tryezën e bisedimeve janë kërkesat e tyre kryesore./voa