Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se situata në veri duhet të qetësohet dhe të zbatohet Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit në Bruksel.
Kështu ka deklaruar Kurti në Twitterin e tij, pasi ka njoftuat se ka zhvilluar një bisedë me ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani, me të cilin tha se u pajtuan për këto dy tema.
“Pata një bisedë telefonike me ministrin e Italisë, Antonio Tajani gjatë ditës sot. Të dy u dakorduam që është koha të zbatohet Marrëveshja Bazike dhe të qetësohet situata në veri”, shkroi Kurti në Twitter.
Had a phone conversation with the Italian DPM&MFA @Antonio_Tajani earlier today. We both agreed that the current time calls for the implementation of the Basic Agreement and the situation in the north to be calmed down.
— Albin Kurti (@albinkurti) May 29, 2023
Këtë të hënë situata është tensionuar në veri, me qytetarët serbë që janë mbledhur para komunave për të penguar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në komuna.
Gjithashtu prezenca e KFOR-it dhe e policisë së Kosovës është rritur ndjeshëm në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, komuna ku ditëve të fundit ka pasur rritje të tensioneve., ndërsa është përdorur edhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Më 26 maj, kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, me asistimin e Policisë së Kosovës hynë në ndërtesat komunale, për të nisur punën, pasi një ditë më parë bënë betimin në shkolla dhe ndërtesa të tjera komunale. Hyrja e tyre në zyrat e komunave u kundërshtua nga grupe të serbëve lokalë. Policia e Kosovës ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bomba, ndërkaq serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të tyre.
Të paktën pesë policë pësuan lëndime. Faktori ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara, dënuan veprimet e Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që menjëherë të ulen tensionet./albeu.com/