Chelsea zyrtarizon Pochettino-n si trajner

Diçka nuk konfirmohet plotësisht derisa të bëhet zyrtare. Dhe tani bëhet zyrtare: Mauricio Pochettino është trajneri i ri i Chelsea.

Ai do ta marrë drejtimin e bluve të Londrës për sezonin 2023-2024 dhe do të nënshkruajë deri në vitin 2025, me opsionin që Chelsea t’ia zgjasë bashkëpunimin deri më 2026.

Pra, trajneri argjentinas ka marrë përsipër një projekt të ri afatgjatë në Londër, pas dështimit të dy paraardhësve të tij të fundit: Tuchel dhe Graham Potter.

Prej javësh, bisedat mes ish-trajnerit të Tottenham dhe Todd Boehly kanë qenë intensive. Pronari amerikan i Chelsea ka qenë thelbësor në arritjen e nënshkrimit të Pochettino, i cili merr përsipër detyrën e rritjes së një klubi që sezonin e ardhshëm nuk do të luajë në kompeticionet europiane dhe që këtë sezon ka qenë më afër rënies sesa kualifikimit në Ligën e Kampionëve.

Ekipi i tij i punës do të jetë i njëjtë si gjatë kohës në stolin e Tottenham, ku argjentinasi arriti një finale të Ligës së Kampionëve. Stafi teknik do të përbëhet nga Jesús Pérez, Miguel D’Agostino, Toni Jiménez dhe Sebastián Pochettino.


Shtuar 29.05.2023 14:51