Çështja Beleri, Xhaçka zbardh bisedën me homologun grek: Blerja e votës, shkelje e rëndë e ligjit tonë

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka zbardhur nëpërmjet një postimi në Twittter bisedën me ministrin e jashtëm grek  Nikos Dendias për çështjen e Fredi Belerit.

Xhaçka u takua sot me Dendias në kuadër të samitit të Këshillit të Jashtëm në BE që u zhvillua në Bruksel.

Në shkrimin e saj në Twitter Xhaçka bën me dije se i theskoi homologut grek  se çështja Beleri është çështje gjyqësore që nuk duhet të ndikojë në faqen e re që dy vendet kanë hapur në marrëdhëniet dypalëshe.

“Bruksel, takimi me mikun dhe kolegun tim, Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias ishte një mundësi shumë e mirë për të diskutuar mbi çështjen “Beleri”. Theksova qartazi se kjo është një çështje gjyqësore që nuk duhet të ndikojë në faqen e re që kemi hapur në marrëdhëniet tona dypalëshe. Kjo nuk është as çështje e të Drejtave të Njeriut, as politike, e jo më një çështje dypalëshe. Z. Beleri gëzon të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër shqiptar dhe asnjë qytetar shqiptar nuk është mbi ligjin. Blerja e votës është një shkelje e rëndë e ligjit tonë dhe çështja e tij tashmë është në gjykatë. E vetmja gjë që ne të gjithë mund të bëjmë është të presim me durim që procesi të ecë në rrjedhën e tij dhe të mos paragjykojmë apo hamendësojmë atë”, tha Xhaçka.

Gjykata e Posaçme caktoi sot masën e sigurisë “Arrest me burg” për Fredi Belerin dhe mikun e tij Pandeli Kokaveshi.

SPAK ka marrë ditë më parë dosjen dhe ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit të marrë nga togat e zeza të Vlorës.

Kujtojmë se Fredi Beleri u arrestua më 12 maj, në ambientet e jashtme të lokalit të tij, nën akuzën për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës u transferua nga paraburgimi i Vlorës në paraburgimin e 313 në Tiranë. Ai u la në burg nga Gjykata e Vlorës, e cila më pas ia kaloi çështjen SPAK-ut.Arrestimi i Belerit ka sjellë shumë reagime, me palën greke, e cila shpesh herë ka bërë thirrje për lirimin e tij, përndryshe Greqia do të ngrejë pengesa për perspektivat e saj të pranimit në BE dhe të bllokojë aksesin në mjetet e financimit evropian./albeu.com/


Shtuar 22.05.2023 15:47