GJKKO la në burg Fredi Belerin dhe mikun e tij, avokatët: Do të ankimojmë vendimin

Gjykata e Posaçme caktoi sot masën e sigurisë “Arrest me burg” për Fredi Belerin dhe mikun e tij Pandeli Kokaveshi.

SPAK ka marrë ditë më parë dosjen dhe ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit të marrë nga togat e zeza të Vlorës. Sakaq avokatët e kryebashkikakut të zgedhur të Himarës shprehen se do të ankimojnë vendimin në Gjykatë.

Ata janë shprehur se Fredi Beleri ka kërkuar drejtësi nga gjykata dhe se nuk i ka pranuar akuzat që janë ngritur në drejtim të tij.

“U la vendimi që dha Gjykata e Vlorës, u lejua vazhdimi i arrestit me burg. Ne patëm pretendimet tona, Fredi Beleri kërkoi vetëm drejtësi nga gjykata duke mos e pranuar dyshimin që është ngritur për të. Nesër, sipas vendimit që u dha, do të ushtrojmë të drejtën e ankimit në Gjykatën e Apelit. Ato që kemi deklaruar gjatë gjithë kësaj kohe, ne pretendojmë se nuk ka dyshim të arsyeshëm dhe nuk duhet vendosur masë sigurie për të dy shtetasit”, theksuan avokatët.

Kujtojmë se Fredi Beleri u arrestua më 12 maj, në ambientet e jashtme të lokalit të tij, nën akuzën për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës u transferua nga paraburgimi i Vlorës në paraburgimin e 313 në Tiranë. Ai u la në burg nga Gjykata e Vlorës, e cila më pas ia kaloi çështjen SPAK-ut.

Arrestimi i Belerit ka sjellë shumë reagime, me palën greke, e cila shpesh herë ka bërë thirrje për lirimin e tij, përndryshe Greqia do të ngrejë pengesa për perspektivat e saj të pranimit në BE dhe të bllokojë aksesin në mjetet e financimit evropian./albeu.com/


Shtuar 22.05.2023 15:41