Punëtori ra nga lartësia dhe ndërroi jetë, arrestohen pronari i pallatit dhe administratori i firmës në Vlorë

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë, pas një aksidenti me vdekje në punë në një pallat në Ujin e Ftohtë, ku një punëtor ra nga lartësia dhe humbi jetën.

Policia ka arrestuar arrestoi bashkëpronarin e pallatit, një 70-vjeçar, i akuzuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” me pasoja të rënda, me qëllim fitimi, pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se punimet në këtë pallat po kryheshin pa lejen e organeve kompetente.

Po ashtu në pranga ka rënë edhe administratori dhe drejtuesi teknik i firmës, A.K. 53 vjeç, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” me pasoja të rënda, me qëllim fitimi dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Njoftimi i policisë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në përfundim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur ditën e sotme, në lagjen “Uji i Ftohtë”, ku dyshohet se aksidentalisht ra nga lartësia e pallatit në të cilin ishte duke punuar, shtetasi A. P., 60 vjeç, i cili për pasojë humbi jetën, arrestuan shtetasit:

-M. H., 70 vjeç, banues në Vlorë, bashkëpronar i pallatit që po ndërtohej, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” me pasoja të rënda, me qëllim fitimi, pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se punimet në këtë pallat po kryheshin pa lejen e organeve kompetente;

-A. K., 53 vjeç, me detyrë administrator dhe drejtues teknik i firmës që po ndërtonte këtë pallat, banues në Vlorë, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” me pasoja të rënda, me qëllim fitimi dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.

 


Shtuar 18.05.2023 20:11