Tentoi të fuste në Shqipëri “një thes” me euro të padeklaruara, nis hetimi për turkun

Policia kufitare e Morinës ka goditur një rast të  mosdeklarimit të shumave të konsiderueshme të parave, në pikën e kalimit kufitar.

Si rrjedhojë janë sekuestruar 23 600 euro dhe ka nisur procedimi penal për një shtetas turk.

Policia bën me dije se është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjeti tip “Renault”, me drejtues shtetasin turk B. S.

Gjatë kontrollit, në një çantë të këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën 23 600 euro, të cilat shtetasi B. S. tentonte t’i fuste në vendin tonë, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.

Në vijim të veprimeve procedurale, strukturat hetimore të DVP Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin turk B. S., 52 vjeç, banues në Mal të Zi, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e parave.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme./Albeu.com.


Shtuar 17.05.2023 15:50