Shpifën dhe fyen me fjalë 4 persona, procedohen Lefter Maliqi dhe mbështetësi i tij

Kandidati i Koalicioni “Bashkë Fitojmë” në Kuçobë, Lefter Maliqi, është proceduar penalisht, pasi është kallëzuar se ka fyer me fjalë 4 shtetas.

Njoftimi:

Procedohet penalisht në gjendje të lirë kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Kuçovës Lefter Maliqi. Po kështu është proceduar dhe mbështetësi i tij.

Procedimi ka ardhur pas një debati ditën e djeshme me 4 persona të tjerë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi Sh. Sh., se shtetasit L. M. dhe M. H. e kishin fyer me fjalë, i kanë shoqëruar në Komisariat, këta dy shtetas, si dhe kanë njoftuar prokurorin e gatshëm, në lidhje me këtë rast.

Në përfundim të veprimeve procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit L. M., 51 vjeç, banues në Tiranë (kandidat për kryetar të bashkisë Kuçovë) dhe M. H., 48 vjeç, banues në Kuçovë (mbështetës i kandidatit).

Mbrëmjen e djeshme, në ambientet e një lokali në qytetin e Kuçovës, dyshohet se këta shtetas kanë fyer me fjalë dhe kanë shpifur për shtetasit Sh. Sh., 59 vjeç, A. Sh., 39 vjeç, A. K., 44 vjeç dhe A. K., 57 vjeç, të katërt punonjës të një firme ndërtimi.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Fyerja” dhe “Shpifja”, të kryera në bashkëpunim.

 


Shtuar 14.05.2023 09:35