Goditi me grusht kryetarin e Bashkisë së Kolonjës, në pranga 33-vjeçari

Ka rënë në pranga personi që goditi me grusht kryetarin e Bashkisë së Kolonjës, Erion Isaj.

Policia arrestoi një 33-vjeçar, ndaj të cilit rëndon akuza për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.

Njoftimi i policisë:

Arrestohet një 33-vjeçar në Kolonjë pasi goditi me grusht kryetarin e Bashkisë Kolonjë Erion Isai.

Procedohet në gjendje të lirë edhe një shtetas tjetër, i përfshirë në konflikt, i cili pengoi me automjetin e tij, lëvizjen e automjetit me të cilin udhëtonte kryetari i bashkisë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë arrestuan në flagrancë shtetasin Esmerald Kaçolli, 33 vjeç, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, si dhe referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, për shtetasin Xh. K., 34 vjeç, të dy banues në fshatin Qinam, Kolonjë.

Mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Korçë-Ersekë”, në afërsi të fshatit Qinam, shtetasi Xh. K., duke drejtuar automjetin tip “Ford”, i ka prerë rrugën automjetit me të cilin po udhëtonte kryetari i bashkisë Kolonjë, shtetasi Erion Isai (njëkohësisht dhe kandidat i PS-së për zgjedhjet vendore) dhe më pas kanë debatuar me fjalë me njëri-tjetrin. Në konflikt është përfshirë edhe shtetasi Esmerald Kaçolli, i cili e ka goditur me grusht në fytyrë, kryetarin e bashkisë Kolonjë.

Të gjitha veprimet procedurale për këtë rast janë kryer në drejtimin e Prokurorisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

 


Shtuar 14.05.2023 09:17