Hapet Piramida e Tiranës, Rama: Ëndërr që u bë realitet, nuk ka qenë e lehtë për të ardhur në këtë rezultat

Piramida e Tiranës është hapur sot pas disa muajsh punime dhe si nga kryeministri Edi Rama, ashtu edhe nga kryebashkiaku Erion Veliaj, është cilësuar një qendër inovacioni.

Rama tha gjatë inaugurimit se ky projekt ishte një ëndërr e bërë realitet.

Ai shtoi se godina e Piramidës mbart shumë histori, e cila nuk është aspak e lehtë për t’u mbajtur si pjesë e kujtesës.

“E kam pas ëndërr të më shohin nga lart poshtë. Kjo është një nga ëndrrat që sot bëhet realitet, ka qenë pikëpyetje e madhe prej shumë vitesh, që kur u bëra ministër i kulturës dhe quhej qendra ndërkombëtare e kulturës. Në fakt ishte hapësirë në degradim e ndarë me kioska brenda për shërbime të ndryshme dhe ajo që i mungonte ishin njerëzit, jeta e vet dhe nuk ka qenë aspak e lehtë për të ardhur në këtë rezultat sepse këto godina që bartin kaq shumë histori dhe histori aspak të lehtë për t’u mbajtur si  pjesë e kujtesës, gjithmonë ngremë dilema se çfarë duhet bërë me to”, tha Rama.

 


Shtuar 11.05.2023 20:56