Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi një takim me ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj. Në bisedë u trajtuan marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe mënyrat për t’i zgjeruar më tej ato.
Palët diskutuan gjithashtu për shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin në modernizimin e administratës, digjitalizimin e shërbimeve dhe reformat që lidhen me integrimin evropian.
Të lidhura
None found
Haxhiu u shpreh se bashkëpunimi mes administratave do t’u jepte mundësi të dyja palëve të mësonin nga njëra-tjetra, si dhe Kosovës t’i shfrytëzonte përvojat e Malit të Zi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kryetarja e Kuvendit falënderoi Dukajn për përkushtimin në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve dhe Malin e Zi për mbështetjen ndaj perspektivës evropiane të Kosovës. Ajo vlerësoi edhe kontributin e shqiptarëve në Mal të Zi, të cilët, përmes punës dhe angazhimit në jetën publike, ndihmojnë në zhvillimin e vendit dhe në afrimin mes dy palëve.






