“Fushatën nuk e ndjej si betejë me kundërshtarë”, Rama: Luftën e kanë me qeverinë, nuk ofrojnë asgjë për të mirën e vendit

Kryeministri Edi Rama garën për zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023 nuk e shikon më si një betejë më kundërshtarët politikë, por një betejë që vendi të ecë përpara. I ftuar në emisionin “Wake up” ai sqaroi dhe deklaratën e tij se nuk do të bashkëpunojë me kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, nëse zgjidhen kryebashkiakë pas 14 majit. Rama tha se bashkëpunimi ka qenë i vështirë për shkak se mungon vullneti.

Rama: Kjo fushatë është ndryshe, nuk e ndjej si një betejë me kundërshatrë, por e ndjej si një betejë përcaktuese për vitet që vijnë në sensin e shkuarjes përpara të vendit dhe bashkive tona. Nuk është një fushatë shumë konfrontuese, sepse nuk janë kundërshatërt…

Nuk i vlerësoni si të denjë?

Rama: Nuk është çështja të denjë, një kandidat është më shumë se sa një person, është një burim energjie që ka të bëjë me mbështetjen që ka, ka të bëjë me forcën që përfaqëson. Ka të bëjë me aftësitë që ka, në këtë aspekt…

Cili projet është “kurora” e arritjeve tuaja dhe dicka që duhet ta bëni ndryshe?

Rama: Fakti që ne kemi një bum turistësh, lidhet me faktin që ka shumë vende për të bërë fotografi, jo vetëm në male dhe ujin e detit por edhe në qytete. Nuk është më çështje e shesheve. Ne dje ishim në Korçë. Në Korçë kur ne nisëm këtë projekt kishte vetëm një hotel. Po flasim përpara 8-9 vjetësh. Sot janë 160 hotele të vogla që kanë punësuar 3000 njerëz. Nuk është çështje fasade, është çështje zhvillimi ekonomik që vazohet te sipërmarrja e vogël.

Ju jeni shprehur se nuk do të bashkëpunoni me kryetarët e bashkive të cilin ju e quani “non grata”. Nuk mendoni se vetë qyteatrët do të sakrifikohen?

Rama: Eksperienca ka treguar që edhe pa pasur këtë ngërç kaq të rëndë të një damkosjeje ndërkombëtare, bashkëpunimi ka qenë i vështirë për shkak të vullnetit të munguar. Tani kjo bëhet edhe më e vështirë sepse gjithë përpjekja është që luftohet me qeverinë, nuk është se ofrohet diçka për të mirën e vendit. Në fund të ditës themeli është çfarë do ofrosh më shumë në bashki./Albeu.com/


Shtuar 3.05.2023 08:33