Ish- kryeministri Sali Berisha, ka mbajtur fjalën e tij gjatë hapjes së fushatës së koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe i cilësoi kandidatët e opozitës si kandidatë të lirisë.
Ai falenderoi kandidatët, teksa shtoi se kryeminstri Edi Rama është i tmerruar nga fillimi i fushatës se këtij koalicioni.
“Të dashur demokratë e demokrate, anëtarë të PL, PBDNJ, Partisë Demokristiane të pranishëm në këtë miting madhështor, të dashur qytetarë.
Të dashur kandidatë të lirisë. Është nder i madh të flas sot para jush, por fjalën time do e nis me një falenderim të vecantë, për ju, përfaqësuesit e votës së lirë të shqiptarëve. Fjalët tuaja në këtë platformë, ishin simfonia më e bukur politike që kam ndjekur ndonjëherë, kjo për faktin se të ardhur të gjithë nga qytetarët, ishin hymne për qytetarin, zotime para tyre, projekte për interesat e tyre.
Ky start i madh, i paparë në 32 vite, është një garanci e madhe e suksesit tonë. Ky start ka tmerruar Ramën dhe lolon e tij Veliaj.
Tek ndiqja fjalimet tuaja, në mendje më vinin kampionët që kisha parë e duartrokitur në shkallët e këtij stadiumi. Ju jeni sot kampionët e lirisë. Kjo është arsyeja që Ramë është tmerruar. Rama-Veliaj një dyshe që ditën lëpihen me njëri-tjetrin ndërsa natën i bëjnë gropën njëri-tjetrit”, tha ai.