Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg tre personat që kërcënuan biznesmenin Eraldo Myftaraj.
Algert Alcani, 27 vjeç, Edmir Boci, 37 vjeç, dhe Shaqir Alcani, 62 vjeç kanë dalë sot para gjykatës. Prokurori Kreshnik Ajazi e cilësoi të ligjshme masën e arrestit të tyre dhe i kërkoi trupit gjykues të caktohet për ta masa “Arrest me burg”, masë që u la në fuqi nga Gjyqtari Elis Dine.
Të tre personat në fjalë u arrestuan gjatë kësaj jave pasi u denoncuan nga biznesmeni Eraldo Myftaraj se e kishin kërcënuar me jetë atë dhe të familjarët e tij që firma e tyre të tërhiqej nga një tender publik për lëndë drusore me vlerën e 1 milion eurove.
Algerti në bashkëpunim me babanë e tij, Shaqir Alçani (pronar i kompanisë së druve Alcan) paguan dy persona me rekorde kriminale që të kërcënojnë me jetë biznesmenin dhe familjen e tij me qëllim që ai të tërhiqej nga tenderi publik.
Personat që Algert dhe Shaqir Alcani paguan, janë persona me rekorde kriminale dhe me origjinë nga Lezha dhe Burreli. Sipas hetimeve, të akuzuarit i kishin vendosur pistoletën në kokë administratorit Erald Myftaraj për t’u tërhequr nga tenderi si dhe e kishin kërcënuar edhe me jetën e djalit.
Shaqir Alcani rezulton pronar i firmës ‘Alcani sh.p.k.’. Kjo firmë ka përftuar 28 tendera, 13 prej tyre në bashkinë e Tiranës. Firma rezulton se kryesisht furnizonte me lëndë djegëse për ngrohje objekte arsimore.
Vlerave e tenderave të përfituara në përgjithësi nga kjo firmë nuk e kanë kaluar shifrën e 400 mijë euro.