Vuçiç takohet në Rashkë me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi për masa ndihmuese për komunitetin serb në Kosovë, që tha se do të financohen nga buxheti serb.

Disa stimuj ekonomikë, në vlerë të përgjithshme prej 28 milionë eurosh, u prezantuan gjatë takimit mes Vuçiqit dhe disa përfaqësuesve politikë të serbëve nga Kosova në Rashkë, që gjendet në jug të Serbisë.

“Në total janë 28 milionë euro, përveç gjithçka tjetër që kemi vendosur deri më tani dhe këto burime financiare janë në dispozicionin e juaj menjëherë. Këto janë gjëra me rëndësi jetike dhe do ta mbrojnë popullin tonë në Kosovë”, tha Vuçiç.

Në këtë takim, që është i hapur për publikun, po marrin pjesë edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, dhe ministra të tjerë serbë.

Vuçiç tha se në përputhje me atë që përfaqësuesit politikë të serbëve do të thonë në takim, do të “bëjnë konkludime” dhe do të mundohen t’i obligojnë autoritetet serbe që t’iu përmbahen atyre.

Më herët, presidenti serb kishte deklaruar se rezultati i takimit do të jetë një “platformë e përbashkët” sa i përket zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 23 prill në veri të Kosovës, por edhe “të ngjarjeve të ardhshme”.

Çfarë tha Vuçiç?

Në fillim të takimit në Rashkë, Vuçiç tha se serbët në Kosovë janë të “shqetësuar dhe të frikësuar”, gjë për të cilën akuzoi Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

“Kemi parë te njerëzit në Kosovë që janë të frikësuar. E dimë që ata nuk janë frikacakë. Por, ne po përpiqemi të tregohemi konstruktivë që ta ruajmë paqen”, tha Vuçiq, duke shprehur pikëpamjen e tij për gjendjen në veri të Kosovës.

“Kurti është angazhuar çdo ditë që të ndodhin gjëra të shëmtuara, incidente. Por, nuk është incident kur shtini në njeriun që ta vrisni”, tha Vuçiq, duke iu referuar plagosjes së një pjesëtari të komunitetit serb në veri të Kosovës nga Policia e Kosovës, më 10 prill.
Fillimisht, Policia e Kosovës kishte mohuar përfshirjen në këtë ngjarje, por më pas njoftoi se ka suspenduar dhe arrestuar katër zyrtarë policorë, njëri prej të cilëve besohet se ka shtënë drejt një qytetari serb .

Thirrje për “unitet” para zgjedhjeve lokale

Duke folur për zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, të caktuara për 23 prill, Vuçiq përmendi edhe mospjesëmarrjen e Listës Serbe në këto zgjedhje.

Ai u bëri thirrje qytetarëve në Kosovë që të jenë të bashkuar dhe të sillen sipas vendimeve që do të merren.

“[Kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti do të jetë kryetar i Mitrovicës së Veriut”, tha ai.

Gjatë takimit ai tha se Kosova është e interesuar që Serbia ta njohë atë de facto dhe de jure dhe se “ata nuk janë aspak të interesuar se kur do të krijohet Asociacioni” i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Vuçiq tha se duhet të formohet Asociacioni në mënyrë që serbët të kthehen në institucione.

Siç ka thënë ai, platforma do të përfshijë masa të sigurisë, politike, ekonomike dhe sociale për popullatën serbe në Kosovë, por Vuçiq nuk ka treguar konkretisht se për çfarë masash bëhet fjalë.

Vuçiç kishte njoftuar për këtë takim në Rashkë javën e kaluar, kur ai tha se përfaqësuesit e serbëve nga Kosova do të dalin me një “platformë të përbashkët” për zgjedhjet në veri të Kosovës “dhe për të gjitha ngjarjet e ardhshme”.

Presidenti serb po ashtu ka përsëritur se “përfaqësuesit serbë” nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet që planifikohen të mbahen më 23 prill në katër komunat në veri të Kosovës, përkatësisht në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Vendimi për zgjedhjet është marrë pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe..rel/