Kandidatët e 14 majit, beteja e nëndheshme Balla-Gjiknuri për qarkun Elbasan, kush mori çfarë

Socialistët pritet të zyrtarizojnë nesër emrat e kandidatëve për 61 bashkitë e vendit. Pavarësisht se janë në maxhorancë dhe me një opozitë të fragmentuar përballë, në disa qarqe caktimi i emrave ka qenë mjaft sfidues për Ramën për shkak të problemeve që kanë disa kryebashkiakë me tenderët që kanë firmosur, por edhe për shkak të përballjeve të figurave të forta brenda partisë.

Qarku më tipik në këtë drejtim ishte Elbasani, ku Ramës i është dashur të marrë në konsideratë planin e Gjiknurit si drejtues politik i këtij qarku dhe kërkesave të Taulant Ballës, i cili u dërgua në Fier.

Balla është socialisti që mori më shumë vota personale në këtë qark dhe gjatë viteve që ishte aty ndërtoi strukturën e drejtuesve të vetë në drejtori apo bashki.

Rrjedhimisht, edhe pse e “shkuli” fillimisht nga Elbasani, duket se në këto zgjedhje Rama ka marrë në konsideratë Ballën duke i dhënë nën patronazh të paktën dy bashki.

Me mosrikandidimin e Kastriot Gurrës për shkak të problemeve me tenderët, iu hap rruga ish-kreut të Kadastrës së Elbasanit, Mariglen Disha për Librazhdin. Disha ka “mbretëruar” në Elbasan kur mbretëronte edhe Balla në këtë qark.

Gramshi po ashtu i është lënë një emri të besuar për Ballën, ndërkohë që Gjiknuri ka patur dorë të lirë në bashkitë e tjera përveç Peqinit. Në këtë të fundit është dashur edhe dakordësia e Aqif Rakipit.

Ndërkohë, Llatja i Elbasanit duket të jetë një zgjedhje e dakordësuar mes Qazim Sejdinit dhe lobit të tij, Gjiknurit dhe Ballës duke marrë në konsideratë edhe balancat e forcës brenda qytetit. /albeu.com


Shtuar 24.03.2023 21:27