Celibashi 48 orë kohë për të plotësuar dokumentacionin e PD-së, Bardhi: Është i rregullt, nuk çojmë asgjë shtesë

Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me dokumentet shtesë që ka kërkuar KQZ, e cila sot njohu si kryetar të Partisë Demokratike, Lulzim Bashën.

Sipas Bardhit dokumentacioni është i plotë dhe nuk do të çojnë asgjë shtesë.

Bardhi: PD ka dorëzuar dokumentacionin e plotë ligjor për regjistrim. Deklaratat e sotme politike të KQZ nuk kanë asnjë lidhje me ligjin, por janë formalizim i një vullneti politik ekstraligjor. Nuk do të ketë asnjë plotësim dokumentacioni sa kohë ai është dorëzuar i plotë!

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi i dha 48 orë afat PD-së  për të plotësuar dokumentacionin në lidhje me kërkesën për tu regjistruar në zgjedhjet e 14 majit.

Sipas Celibashit të drejtën për të kërkuar regjistrimin e PD-së e ka Lulzim Basha.

Të drejtën për të kërkuar regjistrim bazuar në dokumentet zyrtare të cilat janë vënë në dispozicion e ka zoti zoti Lulzim Basha, ai figuron kryetar i PD në pikëpamje të ligjit. Nga vlerësimi i dokumentacionit te paraqitur nga Lulzim Basha do duhet sipas ligjit që kërkesa për regjistrimin e PD të paraqitej nga kryetari i PD zoti Lulzim Basha. Në vlerësim të dokumentacionit unë vlerësoj se ky dokumentacion nuk është i plotë në përputhje me parashikimet e kodit zgjedhor. Besoj se është e qartë se dhe për ju Indrit dhe për këdo tjetër. Dokumentacioni duhet të jetë në përputhje me nenin 64 të kodit zgjedhor”, tha Celibashi./AlbEu.com/


Shtuar 9.03.2023 14:54