OKB thirrje Izraelit dhe Gazës: Ndaloni menjëherë luftimet e tmerrshme

Zyrtarët palestinezë në Gaza thonë se e diela ishte ditë më vdekjeprurëse që nga fillimi i luftimeve aktuale me Izraelin. 42 njerëz u vranë në sulmet ajrore mbi territorin të dielën.

Ushtria izraelite thotë se militantët palestinezë kanë qëlluar më shumë se 3,000 raketa në drejtim të Izraelit gjatë javës së kaluar, informon albeu.com.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se nëse luftimet vazhdojnë, rajoni mund të futet në një krizë të pakontrollueshme. Ai bëri thirrje që t’i jepet menjëherë fund dhunës së tmerrshme.

Herët të hënën, aeroplanët luftarakë izraelitë filluan 80 sulme ajrore në disa zona të qytetit të Gazës, menjëherë pasi militantët e Hamasit hapën një breshëri raketash në Izraelin jugor, informon albeu.com

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar gjithashtu për mungesa të karburantit në Gaza e cila mund të çojë në humbjen e energjisë nga spitalet dhe godina e tjera.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve në Gaza ka shkuar në  197 vetë, përfshirë 58 fëmijë dhe 34 gra, me 1,230 të plagosur, sipas ministrisë së shëndetit të kontrolluar nga Hamas./albeu.com


Shtuar 17.05.2021 08:14