“Ervis Martinaj më shkroi nga King Simba”, zbardhet vendimi që la në burg truprojen e bosit të kazinove

Gjykata e lartë ka zbardhur vendimin që la në burg Jeton Lamin, truprojën e Ervis Martinaj.

Ish-polici akuzohet për shpërdorim detyre, pasi kishte shoqëruar Ervis Martinajn para se ky i fundit të zhdukej pa asnjë gjurmë vitin e kaluar.

Megjithëse pretendonte se izolimi në qeli mund t’i rrezikonte jetën për shkak të profesionit, gjykata e lartë rrëzoi me 7 shkurt rekursin e paraqitur nga ndihmës/specialisti në sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale për Hetimin dhe Kërkimin.

Në dosjen hetimore rezulton se është pyetur edhe një 22-vjeçare që ka qenë një nga kontaktet e fundit të Martinaj para zhdukjes, sipas Euronews Albania. Më 5 gusht të vitit të kaluar, Jeton Lami drejtonte një automjet Audi-A8 me targa të huaja dhe ka shoqëruar të shumëkërkuarin nga Tirana në drejtim të një hoteli në Durrës.

Sipas deklarimeve, para zhdukjes Ervis Martinaj përdorte për të komunikuar aplikacionin Telegram, por ishte përdorues edhe i profilit ‘King Simba’ në rrjetin social Instagram, me foto profili luanin e tij.

Agjenti i policisë u arrestua në 24 gusht pasi në dy momente doli nga kamerat filmike, teksa shoqëronte Ervis Martinajn, personin e kërkuar nga prokuroria e posaçme SPAK, për akuzën e “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve” me qëllim vrasjen e Endrit Dokles.

Por teksa SPAK dhe policia e kërkonte me qëllim arrestimin e tij, Martinaj është zhdukur në 8 gusht 2022. Në përpjekje për të gjurmuar të kërkuarin policia dhe prokuroria e Laçit, zbuloi se ai shoqërohej me agjentin e policisë Jeton Lami.

Pak javë më parë me kërkesë të SPAK, u sekuestruan 34 pasuri të Martinajt dhe familjarëve të tij me dyshime se janë të ngritura nga aktiviteti kriminal ndërsa autoritetet ende nuk e kanë një përgjigje zyrtare mbi fatin e tij./albeu.com/


Shtuar 5.03.2023 15:16