Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në Rrugën e Arbit, konkretisht mbi urën e Drinit në fshatin Gjoricë, të Bulqizës.
Një mjet tip “Audi”, drejtuar nga i riu Denis Miftari është përplasur me një mjet bujqësore. Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar të dy drejtuesit e mjeteve të cilët janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore.
Por, ky nuk është aksideti i parë në këtë segment të Rrugës së Arbrit që fillon nga rrethrrotullimi i Shupenzës e përfundon në afërsi të doganës së Bllatës, në Maqellarë.
Kujtojmë se në natën e ndërrimit të viteve, te ura e Gjoricës humbi jetën 24-vjeçari Yllson Tasha, i cili me mjetin e tij tip Fiat ra nga ura.
4 ditë më vonë, 4 janar 2023, një tjetër aksident tragjik u shënua po në këtë segment rrugor.
Kujtim dhe Murat Istrefi (vëllezër) dhe Kujtime Isftrefi humbën jetën si pasojë e një aksidenti ku u përfshinë dy automjete. Katër persona të tjerë kanë mbetën të plagosur.
Rruga e papërfunduar e Arbrit është kthyer në një gangrenë për shoferët. Mungesa e sinjalistikës, cilësia e dobët e punimeve dhe mbrojtëset e rrugës jashtë standardeve po marrin jetë njerëzish.
Ndërtimi i rrugës 54 km që lidh Tiranën me Dibrën nëpërmjet një kontrate koncesionare me kompaninë Gjoka Construction ka filluar në vitin 2018.
Kujtojmë se vetëm në vitin 2022 shteti shqiptar i ka dhënë kompanisë Gjoka 29 miliardë lekë të vjetra për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit dhe shqiptarët vijojnë të vriten në atë rrugë për shkak të mungesës së ndriçimit dhe sinjalistikës.
E parashikuar për t’u dorëzuar në prill të 2022, kontrata e Rrugës së Arbrit pritet tashmë të përfundojë në shtator të 2023. Dhe disa muaj na ndajnë nga përfundimi, por nga ajo që po shihet, mund të ketë sërish zgjatje./alebu.com