Ekipet e shpëtimit kanë vazhduar operacionet pas aksidentit më të rëndë me trena në Greqi, por operacionet e shpëtimit pritet të përmbyllen më vonë gjatë 4 marsit.
Të paktën 57 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas përplasjes së dy trenave të martën. Në njërin prej trenave ishin mbi 350 pasagjerë.
Kjo fatkeqësi në Greqi ka nxitur zemërim dhe protesta në mbarë vendin, por po ashtu ka nxitur debatin lidhur me standardet e sigurisë në transportin hekurudhor.
Drejtori i stacionit të trenave në qytetin Larisa është arrestuar lidhur me këtë aksident. Për përplasjen e trenave, Qeveria ia ka lënë fajit gabimit njerëzor, që sipas punëtorëve të hekurudhave ishte i pashmangshëm për shkak të mungesës së sistemeve të sigurisë dhe numrit të vogël të punëtorëve.
Treni i pasagjerëve që u përplas me një tren tjetër, po udhëtonte nga Athnia për në Selanik dhe në bordin e tij kishte studentë që po ktheheshin në shtëpi.
Policia tha se 54 trupa të 56 personave që janë raportuar të zhdukur nga familjarët janë identifikuar deri më tani. Shumica e trupave janë identifikuar përmes ADN-së. Ndërkaq, një trup i pajetë ende nuk ka arritur të identifikohet.
Familjarët e viktimave janë zotuar se do të kërkojnë drejtësi. /REL