Pas një viti sanksionesh, Moska përpiqet të duket normale

Një vit pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë dhe një mori sanksionesh ndërkombëtare kundër Rusisë, ekonomia e vendit është duke ndjerë ndikimin. Shërbimi në gjuhën ruse i Zërit të Amerikës sjell raportin nga Moska ku megjithatë efekti i sanksioneve nuk ka qenë aq i shpejtë dhe efektiv sa kishin shpresuar fuqitë perëndimore.

Duke ecur në rrugët e Moskës, dikush mund të mendojë se ky nuk është kryeqyteti i një vendi në luftë. Në dyqane, mund të gjesh telefona që janë prodhimi i fundit nga Amerika, megjithëse me çmime 30% më të shtrenjta se në Perëndim.

Nuk ka mungesa të dukshme për shkak të aleatëve tradicionalë që e kanë ndihmuar Rusinë t’u shmanget sanksioneve.

“Janë katër vende që ligjërisht ose jo, vazhdojnë t’i shesin Rusisë: Irani, Kina, Turqia dhe India”, thotë Dmitry Potapenko, biznesmen në Moskë.

Por sanksionet kanë arritur të godasin sektorë të tërë, siç është industria e automobilave, shitjet e së cilës brenda vendit kanë rënë 80%.

Sektori i aviacionit civil rus pothuajse është shkëputur nga të gjitha lidhjet ndërkombëtare.

Më keq akoma, linjat ajrore ruse e kanë pothuajse të pamundur të gjejnë pjesë këmbimi për aeroplanët e tyre.

Qeveria e Rusisë ka krijuar një program paralel importesh për tu përballur me mungesat duke lejuar kompanitë ruse të blejnë më lirshëm produkte nga furnizuesit, përmes vendeve të treta.

“Konsumatorët tani kanë artikuj më të këqinj, më të shtrenjtë dhe më pak furnizime, por megjithatë i kanë ato”, thotë Natalia Yubarevich, analiste ruse e ekonomisë.

Kjo ka siguruar gjërat elementare, gjë që në rrugët e Moskës të krijon përshtypjen e një ndjenje normaliteti, sado jo reale të jetë ajo.

“Situata nuk ka ndryshuar, ndoshta është më e vështirë të gjesh disa artikuj të importuar, por asgjë të rëndësishme, ne kemi gjithçka”, thotë Svetlana, banore e Moskës.

“Mendoj se asgjë nuk ka ndryshuar, ne kemi qenë nën sanksione edhe në raste të tjera, por këtë periudhë po e jetojmë të qetë”, thotë Vladimiri, banor i Moskës.

“Momentalisht sanksionet nuk i ndjejmë, të paktën jo në Moskë, por mendoj se do ta ndjejmë ndikimin nga kjo verë”, thotë Romani, banor i Moskës.

Kryeqyteti rus vazhdon jetën pavarësisht çmimeve më të larta dhe mundësive më të pakta që rezultojnë nga agresioni njëvjeçar i Rusisë në Ukrainë.


Shtuar 1.03.2023 15:54