Kina mund të jetë duke konsideruar dërgimin e armëve vdekjeprurëse në Rusi, ka paralajmëruar sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken duke i thënë diplomatit kinez Wang Yi se një veprim i tillë do kishte pasoja serioze.
Pas takimit të tyre dje, Blinken tha në NBC: “Ka lloje të ndryshme ndihme vdekjeprurëse që ata po mendojnë t’i ofrojnë Rusisë, përfshirë këtu edhe armë”.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se Kina po përpiqej “të luante me të dyja kahet” duke pretenduar se dëshiron paqen, por në të njëjtën kohë duke ndërmarrë hapa “shqetësues” për të mbështetur Rusinë.
Ministria e Jashtme e Kinës u përgjigj sot, duke i thënë SHBA-së duhet të “përballen dhe të zgjidhin dëmin” në marrëdhëniet dypalëshe “të shkaktuar nga përdorimi pa dallim i forcës”, duke iu referuar rrëzimit të balonës kineze që fluturonte mbi territorin amerikan.
“Nëse SHBA insiston të përfitojë nga çështja, të përshkallëzojë zhurmën dhe të zgjerojë situatën, Kina do të ndjekë deri në fund dhe SHBA do të mbajë të gjitha pasojat”, u kundërpërgjigj ministria kineze.