Shkencëtarët japin lajmin e madh: Ka shpresë për kurimin e kancerit, kemi zbuluar pjesë të ADN-së që e përhapin atë

Shkencëtarët kanë zbuluar pjesë të ADN-së të cilat i kanë krahasuar me karaktere negative filmash, për mënyrën se si veprojnë dhe ndihmojnë në përhapjen e kancerit.

Sipas studimit, bëhet fjalë për agjentë mikroskopikë për të cilët thuhet gjithashtu se ndihmojnë tumoret të fitojnë rezistencë ndaj ilaçeve kundër kancerit.

Shkencëtarët kanë thënë se zbulimi i këtyre pjesëve të materialit gjenetik-të njohur si ADN ekstrakromozomale ose ecDNA- mund të sjellë revolucion në trajtimet e disa prej tumoreve më agresive që prekin njerëzit ditët e sotme.

“Zbulimi se si këto pjesë të ADN-së sillen brenda trupit tonë është një ndryshim i lojës,” – ka thënë profesor Paul Mischel nga universiteti i Stanford në Kaliforni, duke shtuar se besohet që këto pjesë ADN-je janë përgjegjëse për një numër të madh të kancereve më serioze që prekin njerëzit.

Ai ka shtuar se nëse arrihet të bllokohet aktiviteti i tyre, mund të bllokohet edhe përhapja e kancereve.

“Të përbërë nga sythe të vogla të ADN-së, këta “agjentë” gjenetikë mbijetojnë jashtë kromozomeve që janë depot kryesore të materialit gjenetik të qelizave tona dhe që drejtojnë rritjen e trupit tonë dhe përcaktojnë karakteristikat tona individuale. Ekzistenca e këtyre njësive më të vogla u zbulua vite më parë, por rëndësia e tyre në kancer është zbuluar vetëm tani. Ne kemi zbuluar se ecDNA veprojnë si gjene që shkaktojnë kancer që në njëfarë mënyre janë ndarë nga kromozomet e një personi dhe kanë filluar të sillen në mënyra që anashkalojnë rregullat normale të gjenetikës,” – ka thënë gjenetisti i universitetit të Stanford, Hoëard Chang.

Ai i ka krahasuar këta “agjentë mikroskopik”, me personazhe negative të filmave të James Bond.

“Në fillim, në një film, sheh shpërthime të ndryshme, vrasje dhe fatkeqësi që ndodhin dhe nuk e di pse po ndodhin ose kush është përgjegjës. Pastaj, në një moment, ju më në fund takoni personazhin që zbulohet se është agjenti i gjithë kësaj. Prandaj krahasimi me ecDNA. Shkencëtarët mund të shihnin të gjitha llojet e gjërave të çuditshme dhe të papërgjegjshme duke ndodhur – tumoret që përhapeshin me shpejtësi të paparashikuar ose kanceret që bëheshin rezistente ndaj ilaçeve që fillimisht kishin qenë efektive në sulmin e tyre. Tani, më në fund, ne kemi zbuluar agjentët e këtyre ngjarjeve. Është ecDNA,”- ka shtuar Chang.

The Guardian raporton se ky zbulim është pjesë e një nisme të madhe, të njohur si Sfidat e mëdha të Kancerit, që mbështetet nga Kërkimet e Kancerit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Instituti Kombëtar i Kancerit në ShBA, dhe është krijuar për të financuar programe kërkimore multidisiplinare që mund të zhvillojnë rrugë të reja për trajtimin e kancerit.

Vitet e fundit, shkencëtarët kanë treguar se tumoret krijohen sepse gjenet normale në një qelizë shkojnë keq dhe bëjnë që ajo qelizë të ndahet në mënyrë të pakontrolluar, duke sjellë si rezultat përfundimtar një tumor. Këto gjene njihen si onkogjene dhe trajtimi i tyre synohet të bëhet me lloje të ndryshme ilaçesh dhe terapish.

“Megjithatë, rezistenca ndaj këtyre barnave ose terapive shpesh shfaqet pas një kohe dhe kjo lejon që kanceri të kthehet. Tani kemi zbuluar se, në disa nga format më agresive të kancerit, onkogjenët nuk janë aty ku mendonim se ishin. Ato janë në fakt në ADN ekstrakromozomale,”- kanë thënë shkencëtarët, duke shtuar se ata tani janë të bindur se do të jenë në gjendje të gjejnë mënyra për të larguar ecDNA nga pacientët.

“Duhet të theksohet se ecDNA është një tipar i kancerit dhe jo i indit të shëndetshëm, kështu që kemi shpresa se kur të gjejmë mënyra për ta hequr atë – nëpërmjet ilaçeve ose ndonjë formë terapie – atëherë nuk do të ketë efekte anësore të pakëndshme,”- ka thënë Dr Mariam Jamal-Hanjani nga Instituti i Kancerit i Kolegjit Universitar të Londrës.

“Pika vendimtare është se pasi të kemi gjetur shkakun e problemit, atëherë bëhet i mundur edhe zhvillimi dhe provimi i të gjitha llojeve të barnave dhe terapive për të trajtuar atë”.

Ndërkohë, kjo teori është mbështetur edhe nga Chang, i cili ka thënë se, tashmë është zbuluar një ilaç që ka një efekt premtues dhe në vitet e ardhshme do të testohen shumë më tepër derisa të gjendet mënyra më e mirë për të trajnuar ecDNA dhe për të ndaluar aktivitetet e saj pro-kanceroze.

“Do të duhet kohë, por kam besim se do të arrijmë atje,”- është shprehur ai. /Nacionale/


Shtuar 19.02.2023 12:26