Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi sot se Ukraina nuk është ndalesa e fundit e pushtimit rus të Vladimir Putinit.
Për rrjedhojë Zelensky përsëriti kërkesën e tij, duke thënë se është shumë e rëndësishme që Perëndimi të mos vonojë dërgesat e armëve në Ukrainë për të ndihmuar në zmbrapsjen e forcave ruse, shjruan Reuters.
Në fjalimin e tij nëpërmjet një videomesazhi në Konferencën e Sigurinsë që po mbahet so në Mynih, presidenti ukrainas tha se ndërsa Perëndimi po negocion furnizimet me tanke për Kievin, Kremlini po mendon mënyra për të “mbytur” ish-republikën sovjetike të Moldavisë, e cila shtrihet në perëndim të Ukrainës.
“Është e qartë se Ukraina nuk do të jetë ndalesa e tij e fundit. Ai do të vazhdojë lëvizjen e tij gjatë gjithë rrugës, duke përfshirë të gjitha shtetet e tjera që në një moment në kohë ishin pjesë e bllokut sovjetik,” tha Zelensky.
Ai i kërkoi Perëndimit që të bëjë më shpejt dërgesat e armëve.
Rreth 40 krerë shtetesh e qeverish si edhe politikanë dhe ekspertë të sigurisë nga pothuajse 100 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Europën dhe Kinën, marrin pjesë në takimin vjetor të nivelit të lartë, në Gjermani.
Për herë të parë pas dy dekadash, organizatorët e konferencës nuk ftuan zyrtarët rusë. Vendet perëndimore kanë kërkuar izolimin diplomatik të Rusisë pas agresionit të Ukrainës, shkurtin e kaluar.
Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius tha se sulmi i Rusisë në Ukrainë do të dominojë agjendën e diskutimeve. Zyrtarët dhe analistët perëndimorë thonë se konflikti po i afrohet një faze kritike ndërsa në 24 shkurt shënohet 1 vit nga agresioni rus.
Nënpresidentja Kamala Harris pritet të marrë pjesë në punimet e Konferencës, së bashku me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, zonja Harris do të mbajë një fjalim të shtunën, ku pritet të nënvizojë rreziqet e luftës si edhe nevojën për forcimin e mbështetjes amerikane ndaj Ukrainës, për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.
Ukraina varet nga armët perëndimore për të ndalur synimet e Presidentit Putin për të zgjeruar kontrollin mbi territorin ukrainas.
albeu.com.