Kurti thirrje Perëndimit: Mos na bëni presion për Asociacionin, Serbia të “çlirohet” nga Kosova

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje fuqive perëndimore që të ndihmojnë në demokratizimin e Serbisë dhe siç tha ai “pavarësimin” e saj nga republikat e ish-Jugosllavisë, në vend që të ushtrojnë trysni mbi Kosovën për të pranuar një Asociacion të diskutueshëm të komunave me shumicë serbe të vendit.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press, kryeministri Kurti tha se Serbia duhet “të shpallë pavarësinë nga të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë për t’u përballur me të kaluarën dhe për të shprehur vullnetin dhe interesimin për Bashkimin Evropian dhe NATO-n e jo për Federatën Ruse”.

“Nëse 15 vjet më parë pyetja kryesore në Evropë ishte se çfarë statusi do të ketë Kosova dhe ne kishim pavarësi të mbikëqyrur për katër vjetët e para, sot pyetja për këtë pjesë të Evropës është se çfarë statusi duhet të ketë Serbia? Ne e shpallëm pavarësinë nga Serbia dhe komuniteti ndërkombëtar na ndihmoi. Tani komuniteti ndërkombëtar duhet ta ndihmojë Serbinë të shpallë pavarësinë nga Kosova, jo të kthehen në Kosovë por të shpallin pavarësinë nga Kosova. Nëse ata çlirohen nga Kosova do të jenë shumë më demokratik, evropian dhe më larg presidentit despotik Putin”, tha ai.

Gjatë javëve të fundit, të dërguarit amerikanë dhe evropianë vizituan Prishtinën dhe Beogradin për t’i inkurajuar ata të pranojnë një propozim të ri për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe për të shtuar gjasat e tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Hollësitë e këtij propozimi nuk janë bërë ende publike.

Një dialog Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja ka vazhduar që nga viti 2011, por pak nga 33 marrëveshjet e nënshkruara janë zbatuar.

Ndërkohë, së fundmi Shtetet e Bashkuara kanë shtuar trysninë ndaj Prishtinës për të zbatuar një marrëveshje të vitit 2013 për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili do të bashkërendonte punën në çështjet si arsimi, kujdesi shëndetësor dhe zhvillimi ekonomik lokal.

Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli planin jokushtetues, duke vendosur se ai nuk përfshinte etni të tjera dhe mund të përfshinte përdorimin e pushtetit ekzekutiv.

Javën e kaluar zoti. Kurti vendosi kushte për formimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe duke thënë se ai mund të formohet vetëm si pjesë e një marrëveshjeje të përgjithshme për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën Serbia e ka refuzuar në të kaluarën.

Autoritetet e Kosovës kanë frikë se themelimi i Asociacionit do të mund të dëmtonte shtetësinë e vendit.

Kryeministri Kurti tha se fuqitë perëndimore duhet të mësojnë nga shembulli i Republikës Serbe të Bosnje e Hercegovinës, nga frika e krijimit të një shteti brenda shtetit, ndërsa theksoi se Beogradi e përdori krijimin e Asociacionit “si një armë kundër pavarësisë së Kosovës”.

“Nëse e paraqesim idenë e asociacionit të komunave me baza etnike në Ballkanin Perëndimor, dhe komunat nuk janë vetëm njësi administrative por janë edhe njësi territoriale, kjo është një recetë për konflikte të reja. Ndërsa unë dua paqe, dua siguri”, tha kryeministri Kurti.

Ai u bëri thirrje fuqive perëndimore që të mos ushtrojnë trysni mbi vendet më të vogla, si Kosova, e të cilat janë demokratike.

“Ky sukses ka nevojë për më shumë mbështetje dhe mirënjohje sesa trysni. Nuk bëhet fjalë vetëm për mua si kryeministër, por për njerëzit e Kosovës që kanë vuajtur kaq shumë dhe që janë aq shumë paqedashës dhe të orientuar drejt BE-së dhe NATO-s. Megjithatë, ankthi që ekziston në qendrat e ndryshme demokratike perëndimore nuk duhet të detyrojë asnjë lloj zgjidhjeje në Ballkan, zgjidhje këto që do t’u imponohen atyre që janë më të vegjël, edhe pse janë shumë më përparimtarë, demokratikë dhe të drejtë”, tha ai.

Njohja e ndërsjellë është pjesa qendrore e çdo procesi të negocimit, tha kryeministri Kurti, diçka që Beogradi e refuzon ashpër.

Mospajtimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mbesin një burim paqëndrueshmërie në Ballkan shumë kohë pas luftës së viteve 1998-99, e cila përfundoi me ndërhyrjen e NATO-s.

Kosova në vitin 2008 shpalli pavarësinë nga Serbia, të cilën Beogradi vazhdon ta refuzojë mbështetur nga aleatët si Rusia dhe Kina. Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian e kanë njohur Kosovën. /VOA


Shtuar 6.02.2023 17:49