Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, numëroi të enjten disa kushte, plotësimi i të cilëve do të mundësonte shqyrtimin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në një deklarim që opozita e cilësoi si ndryshim të qasjes së tij ndaj Asociacionit mes trysninë perëndimore për themelimin e tij.
Në hapje të seancës së parlamentit të Kosovës ai tha se kushti i parë është që “Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës”.
Asociacioni tha ai “nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit per vetëqeverisje lokale”.
Asociacioni është pjesë e marrëveshjes përfundimtare dhe zbatohet pas njohjes së ndërsjellë tha ai, duke theksuar se para vendosjes së Asociacionit, “strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës duhet të shuhen dhe të bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.
Kushti i pestë tha ai është që “të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”.
Dhe kushti i gjashtë sipas tij është që presidenti i Serbisë t’i tërheq letrat e dërguara për “mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimit Evropian”.
Opozita e cilësoi këtë si ndryshim të madh në ligjërimin politik të kryeministrit Kurti.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se 2 shkurti është datë e pranimit të Asociacionit nga kryeministri i Kosovës.
“Nuk po them që është mirë a keq, mos më keqkuptoni, unë po them që kryeministri i Kosovës tha që marrëveshja e vitit 2013, që është tani obligim ndërkombëtar për Kosovën, është e bëshme me disa kushte, por e bëshme është, dhe kushti thelbësor, që besoj për të jemi pajtuar të gjithë, është që ky Asociacion të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pra kjo ka qenë garanca gjithmonë”, tha zoti Abdixhiku.
Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës tha se nuk e di nëse është rastësi apo sinkronizim mes kryeministrit Kurti dhe (presidentit Serb Aleksandar) Vuçiçit, që në kohën kur në kuvendin e Serbisë po diskutohet për dialogun, kryeministri i Kosovës e jep lajmin që Kosovën e fut në një drejtim të ri.
“Pra Kosova e drejtuar nga qeveria Kurti ka hyrë në një drejtim i cili do ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në vendin tonë. Pra ky moment, kjo ditë duket të jetë një koordinim i mirë mes dy liderëve, pra kryeministrit tonë dhe presidentit serb Vuçiç, të cilët në të njëjtën ditë, në të njëjtin moment janë duke dhënë lajme të rëndësishme për drejtimin që do të marrë kjo marrëveshje. Prandaj të gjitha ato çështjet tjera janë shumë më pak të rëndësishme, ajo që është e rëndësishme është ndryshimi radikal, drastik, ndryshim jashtëzakonisht i madh i kryeministrit Kurti në diskursin e tij në drejtimin e tij të vendit tonë”, tha zoti Tahiri.
“Unë e kam të qartë që ju dëshironi të ua themeloj Zajednicën (fjala serbe per Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe), por zajednica nuk kalon. Zajednicën e keni pranuar ju me 19 prill 2013 edhe më 25 gusht 2015, atëherë e keni bërë Zajednicën por ajo nuk bëhet. Ju nuk e keni zbatuar, unë nuk ua zbatoj”, tha kryeministri Kurti duke ju përgjigjur opozitës.
Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është arritur ne Bruksel në vitin 2013 dhe është miratuar në parlamentin e Kosovës. Në gusht të vitit 2015 është arritur një marrëveshje mbi parimet e themelimit të Asociacionit, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës më vonë gjeti shkelje, ndërsa theksoi se Asociacioni duhet të themelohet sipas marrëveshjes së vitit 2013.
Prishtina ka hezituar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe nga frika se ai mund të shndërrohet në një shtet brenda shtetit.
Shtetet e Bashkuara kanë siguruar Kosovën se nuk do të mbështesin krijimin e një mekanizmi si në Bosnjë, ndërsa kanë theksuar se koha për themelimin e asociacionit është tani.
Trysnia për Asociacioni është rritur ndërsa janë shtuar përpjekjet për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në dritën e një propozimi evropian, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.
Kryeministri Kurti ritheksoi se propozimin e sheh si bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe “jemi të interesuar të punojmë sa më intezivisht që i njëjti të finalizohet dhe të nënshkruhet nga palët, andaj kërkojmë nga zyra e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, zotit Josep Borrell, që sa më parë të ftoj në takime të rregullta e të shpeshta në mënyrë që të përparojmë drejt finalizimit”.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, la të kuptohet se do të pranojë propozimin, duke paralajmëruar për pasojat që mund të ketë Serbia nëse e refuzon atë. Të enjten ai po raporton në një seancë në parlamentin serb për bisedimet me Kosovën. /VOA