“Rama përdori Sorosin dhe agjentin e FBI-së për asgjësimin e opozitës”, Berisha nga Burreli: Shqiptarët do ta ndëshkojnë

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ditën e sotme ndodhej në Burrel për të festuar 32-vjetorin e themelimit të degës së PD-së.

Ai ka akuzuar kryeministrin Rama se ka bërë çdo përpjekje për të asgjësuar opozitën shqiptare.

Ndalur tek çështja e ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal, Berisha thotë se ai është paguar nga Rama për të shkatërruar Partinë Demokratike. Nga Mati, në përvjetorin e themelimit të kësaj dege, Berisha thotë se shqiptarët do ta ndëshkojnë Edi Ramën për këtë akt të rëndë që ka bërë. ‘Ndëshkimi’ që do t’i japin Ramës sipas Berishës do të jetë në zgjedhjet e 14 majit, në të cilat do të largojnë monizmin, siç ai e quan.

“Edi Rama pasardhës i babait që firmosi varjen në litar të poetit Havzi Nela, pasardhës i një xhelati, ka vendos dhe mendon të finalizojë veprën e tyre kriminale. Asgjësimin e opozitës shqiptare. Rama, sot kryeministri më i korruptuar i planetit ka përdorur të gjitha mjetet për të marrë peng opozitën. Ka përdor diplomatë të korruptuar, një mostër siç është Soros për asgjësimin e PD-së, por sot jemi më të fortë se kurrë. PD do mbetet besnike e përjetshme e tyre”, u shpreh Berisha.

Ish-kryeministri iu rikthye edhe akuzave të vjetra për George Soros. Edhe këtë të fundit, Berisha thotë Rama e përdori kundër opozitës, madje e quan edhe personin që ka lobuar për ta shpallur atë non grata në SHBA.

“Rama armik i lirisë së shqiptarëve, ja ka dalë që me taksat tuaja të rekrutojë në kundërshtim me ligjet e vendit dhe të SHBA, një nga personat më të rëndësishme të fushës së sigurisë. Ky është akt që dua ta ndëshkoj dhe do ta ndëshkojnë shqiptarët. Shqiptarët s’mund të pranojnë një krye që angazhon eksponentë të shitur të agjencisë më të fuqishme të globit për shkatërrimin e opozitës. S’mund të pranojnë t’i dorëzojnë fatet e tyre një vasali që për karrigen e tij nuk kursen asgjë kundër shqiptarëve”, tha Berisha.

/Albeu.com/


Shtuar 28.01.2023 12:27