“Palët lart eksitohen duke sharë njëri-tjetrin”, deputeti demokrat: Bashkimin e PD e ka në dorë Berisha

Për deputetin demokrat Dashnor Sula, bashkimin e demokratëve e ka në dorë Sali Berisha.

Sipas tij analiza për çfarë po ndodh në PD nuk duhet të nisë nga përjashtimi i fundit i katër deputetëve, por nga çfarë ndodhi pas humbjes së 25 prillit.

“Por analizën nuk mund ta nisim para dy ditësh, por që pas 25 prillit. Janë shumë gjëra që kanë ndodhur nga ajo kohë dhe kanë sjellë pasoja. Palët lart eksitohen duke sharë njeri- tjetrin, ndërkohë që këtë energji duhet ta përdorin kundër kundërshtarit politik”, tha Sula për News 24.

Ai foli edhe për përjashtimet e 4 kolegëve të tij nga Alibeaj dhe tha se edhe nëse ata kthehen, problemi nuk do të zgjidhet.

“Këto janë të korrigjueshme. Edhe nëse kthehen katër deputetët, a zgjidhet problemi? Jo, nuk zgjidhet. Problemi duhet të zgjidhet në mënyrë racionale. Siç ishte dreka që u bë në fundviti”, u shpreh Sula.

Për bashkimin e demokratëve, Sula tha se e ka Berisha në dore, duke vënë në dukje që ai ka bërë pakte më të mëdha.

Deputeti konfirmoi gjithashtu mbështetjen për kandidatët që kanë dalë nga primaret në zonën e tij elektorale.

“Pa diskutim që ai e ka. Berisha ka bërë pakte të mëdha me Nanon e Ramën dhe nuk bën dot pakt me “fëmijët e tij” politikë? Nëse shkojmë në 14 maj të ndarë, fiton Rama dhe PS. Unë nuk jam dakord me këtë qasje dhe kam bërë zgjedhjen time: në zonën time elektorale do të mbështes kandidatët që kanë dalë nga Primaret. Unë e kam bërë zgjedhjen, por prapë kam mendimet e mia për mënyrën se si duhet të bëhen punët në PD”, tha Sula. /albeu.com


Shtuar 12.01.2023 15:37