Putin shpall armëpushimin 36-orësh në Ukrainë për shkak të Krishtlindjeve, përgjigjet Kievi: Mbajeni hipokrizinë për veten tuaj

Vladimir Putin njoftoi një armëpushim në Ukrainë nga ora 12 e mesditës së 6 janarit deri në mesnatën e 7 janarit, raporton agjencia Interfax duke cituar Kremlinin.

Rusia feston Krishtlindjet më 7 janar sipas kalendarit të vjetër.

Moska gjithashtu i bën thirrje palës ukrainase të shpallë një armëpushim në mënyrë që qytetarët të mund të marrin pjesë në shërbimet në prag të Krishtlindjeve dhe në ditën e festës.

“Duke marrë parasysh apelin e Shenjtërisë së Tij Patriarkut Kirill, udhëzova Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë që të zbatojë një armëpushim përgjatë vijës së kontaktit nga ora 12:00 e datës 6 janar deri në orën 24:00 të datës 7 ”, thuhet në deklaratën e Kremlinit.

“Për shkak të faktit se një numër i madh i njerëzve ortodoksë jetojnë në zonat e armiqësive, ne i bëjmë thirrje palës ukrainase të shpallë një armëpushim dhe t’i lejojë ata të marrin pjesë në shërbimin në prag të Krishtlindjes, si dhe në ditën e Krishtlindjeve,” shtoi ai.

Kievi e refuzoi menjëherë kërkesën.

“Mbajeni hipokrizinë për veten tuaj”, tha Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak

Shumë të krishterë ortodoksë në Rusi dhe Ukrainë ndjekin kalendarin e vjetër dhe festojnë Krishtlindjet në 6-7 janar.

Kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Kirill, më herët i bëri thirrje Moskës dhe Kievit që të vazhdojnë me një armëpushim në Ukrainë me rastin e Krishtlindjeve.

“Unë, Kirill, Patriarku i Moskës dhe gjithë Rusisë, u bëj thirrje të gjitha palëve të përfshira në konfliktin vëllavrasës që t’u bëjnë thirrje atyre të vendosin një armëpushim dhe të vulosin një armëpushim të Krishtlindjeve nga ora 12:00 e datës 6 janar deri në orën 00:00 të datës 7 janar”, tha ai në një mesazh të postuar në faqen e internetit të Kishës.

Sipas tij, armëpushimi duhet të shërbejë në mënyrë që “ortodoksët të mund të marrin pjesë në shërbimet e natës së Krishtlindjes dhe të Krishtlindjes” në Ukrainë./Albeu.com/


Shtuar 5.01.2023 17:46