Nga Jörg Römer “Der Spiegel”
Që prej muajit tetor, Rusia e ka sulmuar intenvisisht nga ajri infrastrukturën ukrainase. Pasojat e sulmeve me raketa dhe dronë janë dramatike dhe po ndihen në shumë zona të këtij vendi. Shumë njerëz janë detyruar që të jetojnë pa energji elektrike dhe ujë, teksa sistemet e ngrohjes nuk po funksionojnë edhe pse ndodhemi në mesin e dimrit.
Sulmet nga forcat ruse janë aq të mëdha, sa, sipas Ministrit ukrainas të Mbrojtjes Oleksii Reznikov, vetëm rreth 13 për qind e municioneve që ishin fillimisht në dispozicion për sistemet raketore Iskander mbeten ende në depot e ushtrisë ruse.
Stoqet e raketave ruse Kalibr dhe Kh-55, janë përgjysmuar tha ai. Megjithatë, ka të ngjarë që bombardimi i termocentraleve dhe linjave të transmetimit të energjisë në Ukrainë të vazhdojë ende. Vetëm të mërkurën e kaluar, forcat ajrore ukrainase numëruan rreth 70 raketa ruse që u lëshuan ndaj objektivave ukrainase, si dhe pesë dronë, raporton abcnews.al.
Ndërsa raketat Kalibr kushtojnë disa miliona dollarë secila, dronët janë relativisht të lirë, dhe shumë shpesh i përmbushin misionet e tyre shkatërruese. Tufa të vogla dronësh kamikaze kanë shkaktuar dëme të mëdha në Ukrainë. Ekspertët besojnë se Rusia ka blerë 2 modele nga Irani dhe ka bërë disa ndryshime optike në dizajn.
Moska e ka mohuar gjithmonë pretendimin se ka blerë dronët ushtarakë “Shahed 136” dhe Shahed 131” nga Teherani. Por kohët e fundit vetë Irani e pranoi se e kishte furnizuar Putin me dronë, të paktën para luftës. Ministri i Jashtëm iranian, Hussein Amirabdollahian, tha se një sasi e vogël ishte dërguar përpara 24 shkurtit, ditën kur forcat ruse nisën pushtimin e Ukrainës.
Një raport i ri nga Conflict Armament Research (CAR), një grup ekspertësh nga Britania e Madhe, i specializuar në gjurmimin e dërgesave të armëve dhe materialeve të tjera ushtarake, pretendon se deklarata e iranianëve nuk është e vërtetë. Një ekip i CAR udhëtoi në nëntor në Ukrainë, ku ata shqyrtuan modele të ndryshme dronësh që kishin rënë në duart e trupave ukrainase me shkallë të ndryshme dëmtimi.
Inspektimi nga afër krijoi mundësinë e një analize të metodave të ndërtimit të dronit dhe funksionimit të tyre të brendshëm. Ata shqyrtuan 3 modele: dronët kamikaze “Shahed 136” dhe “Shahed 131” dhe dronin luftarak “Mohajer 6”. Ky i fundit mund të pajiset me 2 predha të drejtuara me lazer.
Të dhënat e njërës prej këtyre armëve, me sa duket një dron “Qaem 5”, që nuk shpërtheu, kanë zbuluar se pajisja shpërthyese afro 1.20 metra e gjatë nuk ishte prodhuar para majit ë këtij viti. Data tregon se Irani ia dorëzoi këtë armë Rusisë pasi ajo e kishte pushtuar Ukrainën.
Analiza e komponentëve të përdorur për dronët, nxori gjithashtu disa gjetje interesante: shumë emërtime modelesh, tregojnë se pjesët janë prodhuar në vitet e mëparshme, shumica në vitet 2020 dhe 2021. Por në atë kohë, Irani ishte tashmë nën sanksione që synonin pengimin e blerjes së teknologjisë perëndimore.
Por këto pjesë të rëndësishme kishin hyrë gjithsesi në Iran. Shumë komponentë janë eksportuar në Iran nga Evropa, Azia dhe në një masë të madhe nga Amerika e Veriut. “Rreth 82 për qind e tyre janë prodhuar në SHBA”- thuhet në raport. Ekipi i studiuesve identifikoi 70 prodhues në 13 vende të ndryshme.
Organizata ka vendosur që për momentin të mos përmendë emrat e kompanive. Por ekspertët e saj thanë se po punojnë për të gjurmuar origjinën e të gjithë pjesëve përbërëse të dronëve iranianë. Identiteti i disa prej kompanive ishte i ditur edhe para publikimit të raportit.
Për shembull, motorët për dronët “Shahed 136” dhe “Mohajer” vinin nga një kompani me bazë në Austri. Ndërkaq, analiza e teknologjinë e kabllove tregon se dronët janë prodhuar në fakt në Iran. Ajo ishte shumë e ngjashme tek të gjithë dronët e studiuar.
“Të dhënat nga raporti duken të vlefshme dhe shumë të detajuara”- tha për “Der Spiegel” Ulrike Franke, eksperte e dronëve në think tankun “European Council of Foreign Relations” me seli në Londër. Por në të njëjtën kohë, ekspertët zbuluan edhe dallime me modelet e vjetra.
Sipas raportit, disa nga dronët e gjetur në Ukrainë ishin të pajisur me teknologji më moderne, si për shembull një radio me softuer që ndodhej në një dron “Shahed 136”. Dronët iranianë kanë shënuar një përmirësim cilësor sa i përket harduer-ve në krahasim me modelet e mëparshme, thuhet në raport, duke iu referuar autopilotëve dhe moduleve të navigimit satelitor.
Pllakat e qarkut në të cilat janë montuar elementët elektronikë janë gjithashtu të një cilësie shumë më të lartë se sa në modelet e vjetra. Në përgjithësi, aftësitë e dronëve kamikaze “Shahed” janë përmirësuar ndjeshëm, duke i gjetur me një saktësi më të madhe objektivat e tyre sesa municionet më të vjetra, thekson raporti.
Këto zbulime ngrenë pikëpyetje serioze në lidhje me efektivitetin e sanksioneve. Vitet e fundit, ka pasur përpjekje të përsëritura për ta privuar Iranin nga pjesë të rëndësishme për prodhimin e armëve nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara.
Në vitin 2015, OKB-ja miratoi Rezolutën Nr.2231, e cila synon të pezullojë programin bërthamor të Iranit. Po ashtu rezoluta synonte të parandalonte zhvillimin dhe ndërtimin e sistemeve të shpërndarjes së armëve, raketa balistike, raketa lundruese, si dhe sisteme të mjeteve ajrore pa pilot me një rreze veprimi prej 300 kilometra ose më shumë.
Këtu përfshiheshin edhe dronët “Shahed 1131” dhe “Shahed 136”. Transferimi i këtyre dronëve në Rusi pa miratimin paraprak të Këshillit të Sigurimit të OKB-së është një shkelje e kushteve të rezolutës. Ecja drejt aftësive teknologjike më të larta tek armët e eksportit, tregon se iranianët kanë gjetur mënyra për të anashkaluar bojkotin.
Një pjesë e kësaj shmangie buron nga fakti se është e vështirë të kontrollohet tregtia mbi pjesët elektronike të përdorura për dronë të tillë. “Në dronë janë montuar shumë pjesë me përdorim të dyfishtë, pra pjesë që nuk janë vetëm për teknologjinë ushtarake, por edhe për teknologjinë civile. Ndaj këta komponentë të thjeshtë nuk i nënshtrohen kontrolleve të shitjeve dhe eksporteve.
Ato mund të prodhohen edhe në vende të tjera nga ato të origjinës. Pra mund të blihen përmes vendeve të treta përpara se të hyjnë në Iran. Kompanitë prodhuese nuk janë domosdoshmërisht të vetëdijshme për transaksione të tilla që përfshijnë produktet e tyre. Unë jam shumë skeptik nëse ne mund të ndalojmë disa vende që të mos prodhojnë dronë”- thotë Franke.
Por analiza e CAR, tregon se dronët modernë dhe të fuqishëm, kërkojnë komponentë të teknologjisë së lartë që i nënshtrohen kontrolleve të eksportit, ndaj mund të përfshihen në sanksione. Franke thotë se çështja kryesore është kontrolli dhe frenimi më i mirë i tregtimit të tregut të zi në teknologjitë e nivelit të lartë.
BE-ja ka një pikëpamje të ngjashme dhe po planifikon të forcojë kufizimet tregtare ndaj Iranit pas një pakete fillestare sanksionesh të miratuar më 20 tetor në përgjigje të dërgesave me dron në Rusi. “Ne po koordinohemi me partnerët dhe aleatët për të vendosur sanksione të mëtejshme kundër Iranit, duke iu përgjigjur përhapjes së dronëve iranianë”- deklaroi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një konferencë të fundit të sigurisë në Bahrein. “Transferimi i armëve nga Irani përbën një rrezik sigurie për të gjithë”- shtoi ajo.
/albeu.com