Plani i Putin për ta ngrirë Ukrainën deri në nënshtrim, duket i destinuar të dështojë

Nga Frazer Nelson “Daily Telegraph”

Vladimir Putin ka nisur tani zbatimin e strategjisë së dimrit. Ushtria e tij po humbet ndaj forcave të armatosura të Ukrainës, pasi është detyruar të largohet nga më shumë se gjysma e territorit të pushtuar që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë në fundin e shkurtit.

Pra Moska po kalon në një strategji që shënjestron civilët, duke lëshuar raketa mbi gjeneratorët e energjisë, dhe duke privuar kësisoj qytetarët ukrainas jo vetëm nga energjia elektrike, por edhe uji i rrjedhshëm dhe funksionimi normal i kanaleve të ujërave të zeza.

Në një vend ku temperaturat do të bien deri në -25 gradë Celcius javët e ardhshme, sipas deklaratës së vetë Zelensky “do ta kthejnë të ftohtin e dimrit në një armë të shkatërrimit në masë”. Synimi i dukshëm i Rusisë është ulja e moralit dhe detyrimi i Ukrainës për të negociuar.

Por deri më tani, ajo ka një efekt krejt të kundërt. Për aq sa mund të konstatojnë sondazhet, opinioni publik ukrainas duket i vendosur të vazhdojë të luftojë derisa të rimerret çdo centimetër i territorit ukrainas, përfshirë Krimenë.

Nëse Zelensky do të negocionte një marrëveshje me Rusinë, ka shumë gjasa që ai të shkarkohej nga një vend, njerëzit e të cilit dëbuan një president gjatë revolucionit të Maidanit të vitit 2014. Vendosmëria e ukrainasve për të kaluar dimrin është me sa duket absolute.

Por kjo mund të nënkuptojë shumë mirë evakuimin e disa pjesëve të vendit, dhe ndoshta edhe shkaktimin e një valë të dytë refugjatësh. Prej kohësh Putin i ka varur shpresat e tij tek dimri për të dëmtuar si Ukrainën, ashtu edhe aleatët e saj perëndimorë.

Ndërprerja e eksporteve të gazit synonte të ngrinte çmimet e energjisë, sidomos në Gjermani, vend që ishte bërë i varur nga importet e Moskës dhe që nuk kishte një plan B. “Më mirë një dush i ftohtë sesa gazin e Putinit”- thuhej në pankartat e protestuesve gjermanë në shkurt.

Por kur të vijë koha, a do të jenë të gatshëm gjermanët për këtë sakrificë?

Që nga ajo kohë, Gjermania ka arritur një përparim mbresëlënës në gjetjen e burimeve të tjera të energjisë dhe terminaleve lundruese për të importuar gaz natyror të lëngshëm (LNG). Anija e parë me gaz “Neptun”, mjaftueshëm e madhe për të furnizuar 2 milionë familje, arriti të mërkurën në ishullin Rügen.

Disa anije të tjera të ngjashme janë rrugës. Kur Gjermania tha se dëshironte që depozitat e saj të gazit të ishin të mbushura në nivelin 95 për qind deri në nëntor, u duk si një objektiv me një optimizëm të tepruar. Por ai objektiv u arrit 3 javë më herët. Rezervat e saj tani janë në nivelin 99 për qind.

Në vend të mungesës së gazit, Evropa tani ka anije LNG që enden rreth Gjibraltarit po pa kapacitet të mjaftueshëm magazinimi që të mund të shkarkohen. Çmimet e gazit me shumicë, janë më pak se gjysma e pikut të tyre të fundit, dhe më e rëndësishmja, çmimet vitin e ardhshëm duken se do të jenë rreth gjysma e asaj që u parashikua me frikë në gusht.

Pra Evropa përballet me një dimër shumë të vështirë. Por gjithsesi të përballueshëm. Tregjet kanë bërë punën e tyre, të ndihmuara nga një nëntor i ngrohtë. Sinjalet që dhanë çmimet e ulën kërkesën dhe e rritën ofertën në mënyra që nuk priteshin nga ekonomistët. Tani po bien çmimet e ushqimeve me shumicë, duke rritur shpresat për një rënie të shpejtë të inflacionit vitin e ardhshëm.

Në disa aspekte të rëndësishme, strategjia e Putin duket se do të dështojë në Evropën Perëndimore. Pyetja është se sa dëm mund të shkaktojë ai në Ukrainë. Gjatë javëve të fundit, Ukraina është bërë më e aftë në riparimin e dëmeve nga raketat.

Kështu termocentralet mund të rinisin të funksionojnë, duke i kufizuar ndërprerjet në vetëm 2-3 ditë. Por më pas, raketat ruse godasin sërish. Shumica janë neutralizuar në kohë, por mbrojtja ajrore e Ukrainës nuk është e plotë, dhe Moska po shfaqet më e aftë në gjetjen e pikave të dobëta.

Në një kohë që dronët e lirë iranianë po u japin mundësi sulmeve ruse të depërtojnë për shkak të forcës së numrave. Kjo strategji e bombardimit dhe riparimeve, mund të vazhdojë gjatë gjithë dimrit. Pra, në vend se të ketë vetëm disa ditë ndërprerje, është e besueshme që ukrainasit mund të qëndrojnë për javë apo edhe muaj pa energji apo ujë.

Jeta në Kiev mund të bëhet më e durueshme nga rreth 1000 “steha ngrohëse”, të cilat Zelensky i quan “streha të pathyeshmërisë”. Por zonat pranë vijës së frontit – Kherson dhe Mykolaiv në Jug – janë tashmë duke u evakuuar pasi ato janë të pamundura për t’u mbrojtur.

Por kjo lëvizje nuk ka të ngjarë të jetë e mjaftueshme. Maxim Timchenko, që drejton kompaninë më të madhe private energjitike në Ukrainë, u ka sugjeruar njerëzve të mendojnë të largohen nga vendi. “Nëse ata mund të gjejnë një vend alternativ për të qëndruar edhe për 3 ose 4 muaj të tjerë, kjo do të jetë shumë e dobishme për sistemin”- tha ai.

Nga 43 milionë ukrainas, 8 milionë janë larguar që nga pushtimi i shkurtit, dhe këshilla zyrtare e qeverisë për ta është që të qëndrojnë larg, të paktën derisa vazhdojnë ndërprerjet e energjisë elektrike. Sulmet ruse po imponojnë një krizë të rëndë energjetike në Moldavinë fqinje, ku ndodhet përqendrimi më i madh i refugjatëve ukrainas në raport me popullsinë vendase.

Kjo mund të krijojë një krizë tjetër të rëndësishme. Por këtë herë ka shumë arsye për të pasur shpresë. Evropa ka treguar një kapacitet të jashtëzakonshëm për të pritur dhe integruar refugjatët ukrainas. Polonia, një vend që kishte qenë dyshues ndaj azilkërkuesve, ka pranuar deri tani 1 milion.

Rreth 145.000 janë mirëpritur në Britani, me 200.000 viza gjithsej të lëshuara për ta. Shifrat aktuale ishin befasuese, pjesërisht sepse askush nuk e kishte kuptuar se gati 76.000 kinezë të Hong Kongut kishin përfituar nga oferta e Dominic Raab dhe Priti Patel.

Sistemi i “familjes pritëse” pati problemet e tij, sidomos kur mbaroi periudha 6-mujore e qëndrimit. Por ka shumë pak histori pakënaqësie. Përkundrazi, një simbol i ri është shfaqur në pjesën më të madhe të vendit. Flamuj blu-verdhë valëviten në kishat, baret dhe shtëpitë në të gjithë Britaninë.

Një simbol i një vendi, por edhe i një kauze dhe qëllimi të përbashkët. Ajo përfaqëson vetëdijen se po zhvillohet një luftë për demokracinë, dhe se ajo është në një kuptim shumë reale, një betejë e përbashkët. Në çdo fazë të kësaj lufte, Putin është përpjekur të bindë Ukrainën dhe aleatët e saj se ushtria e tij nuk mund të shpërbëhet, ndaj luftimi është i pakuptimtë.

Por pas humbjes së Rusisë në Kherson, ky është një argument shumë më i vështirë për t’u propaganduar.  Tani popullsia e Ukrainës është gati të hyjë ndoshta në pjesën më të vështirë të luftës, por me besimin se ky dimër, me të gjitha mangësitë e tij, do të shënojë fillimin e fundit të saj.

/albeu.com


Shtuar 28.11.2022 10:43