“Protesta do dridhë themelet”, Berisha: Do shënojë sezonin më të vështirë për Ramën

Ish-kryeministri Sali Berisha, i ftuar në emisionin “Opinion, ka komentuar protestës e 12 nëntorit që Partia Demokratike do të mbajë në Tiranë.

Berisha ka thënë se protesta do të trondisë themelet e këtij regjimi.

Pyetje: Çfarë proteste do bëni të shtunën?

Berisha: Motivet e protestës janë të jashtëzakonshme. Ndaj populli shqiptar do i përgjigjet këtij armiku. Së pari, vetë protesta është simboli i revoltës popullore, skenari dhe koreografia është atribut i atyre që po merren me të. Shqipëria po zien. Mezi po presin, të mëdhenj dhe të vegjël të mbushin sheshin.

Asnjë bast dhe asnjë rrezik nuk ka. Kjo protestë do të jetë një protestë që do të dridhë nga themelet një regjim që bazohet në drogë. Një vend me liri fiktive, një vend që ka zbritur 4 shkallë më poshtë se sa Vietnami komunist, një shtet me monizëm, është një vend i cili i tëri duhet të ngrihet në revoltë si rrugën e vetme për të siguruar votën.

Pyetje: A jeni të organizuar me Partinë e Lirisë?

Berisha: Plotësisht. Për protestën është bërë një takim paraprak me kryetarin e PL-së pastaj me forcat e tjera politike. Do jenë të pranishëm. Do i adresohen popullit opozitar. Është inaugurimi i një sezoni të vështirë për një kryeministër i cili përpiqet të bëjë gjithçka për të fshehur megaaferat e tij.


Shtuar 10.11.2022 21:22