Një shtetas indian, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ndërkombëtare për trafikim të lëndëve narkotike është vënë në pranga në vendin tonë.
Njësia e Përbashkët Hetimore, e përbërë nga Zyra Rajonale e Sigurisë/ Zyra e Hetimeve Kriminale jashtë SHBA-së (RSO, OCI), në ambasadën e SHBA-së në Tiranë dhe Njësia Speciale Policore shqiptare, e njohur si “Mburoja e Përbashkët”, në bashkëpunim dhe koordinim me Agjencinë Ligjzbatuese Amerikane DEA, kanë patur në ndjekje një rast që lidhet me vënien në ekzekutim të dy urdhër arresteve të lëshuara nga dy gjykata të ndryshme në SHBA.
Koordinimi i këtyre tri agjencive, RSO/DSS, Policia e Shtetit dhe DEA, rezultoi me arrestimin në Rinas, me qëllim ekstradimin drejt SHBA-së, të një shtetasi indian, për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, e kryer në formën e grupit kriminal.
Për arrestimin e këtij shtetasi dhe kryerjen e veprimeve të tjera hetimore nga pala shqiptare (Njësia “Mburoja e Përbashkët”) është koordinuar në kohë reale me autoritetet qendrore të drejtësisë shqiptare dhe këto të fundit kanë dhënë dritë jeshile për këtë operacion të përbashkët hetimor.
Njësia Policore “Mburoja e Përbashkët” ka kryer hetime paraprake në koordinim të vazhdueshëm, si me Zyrën Rajonale të Sigurisë të ambasadës amerikane në Tiranë, ashtu edhe me zyrtarë të DEA-s në Shqipëri.
Si rezultat i veprimeve të koordinuara më parë, Njësia Policore “Mburoja e Përbashket” ka arritur të lokalizojë dhe të arrestojë shtetasin indian N. M., 31 vjeç, në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke bërë ekzekutimin e dy urdhër arresteve amerikane, por dhe kryerjen e hetimeve të tjera sipas marrëveshjeve në fushën e hetimeve penale në fuqi, ndërmjet SHBA-së dhe Shqipërisë.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, është duke punuar për ekstradimin e këtij shtetasi drejt SHBA-së.
Gjejmë sërish rastin të falënderojmë ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, për bashkëpunimin, koordinimin dhe bashkërendimin e të gjitha veprimeve ndërmjet agjencive ligjzbatuese, në luftën e përbashkët kundër krimit në përgjithësi dhe atij të organizuar në veçanti.