SPAK ka firmosur tre letër-porosi të tjera që përmes Ministrisë së Drejtësisë, u janë dorëzuar partnerëve.
Këto letërporosi vijnë në krye të një muaji nga kallëzimi i avokatit Idajet Beqiri ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi.
Zyrtarisht ju tha Top Channel se kërkesa për ndihmë juridike i është dërguar Austrisë, Italisë dhe San Marinos, aty ku avokati denoncoi se i janë nënshtruar trajtimeve estetike. Avokati që i kallëzoi për korrupsion dhe pastrim parash thotë se kjo gjë vërtetohet nga kartelat mjekësore.
A kanë kryer ndonjëherë ndërhyrje mjekësore apo estetike çifti Meta dhe personat e bashkëlidhur me ta që janë rrethi më i ngushtë, pyesin në letër-porosi prokurorët e SPAK. Ata kërkojnë po ashtu prova shkresore që vërtetojnë diçka të tillë dhe mënyrën si është kryer pagesa, në rast se ndërhyrje të tilla kanë ndodhur bëjnë me dije burimet.
Por SPAK e ka bashkuar kallëzimin e avokatit me atë të ish-deputetit Halit Valteri , për të cilën gjithashtu ka përcjellë letër-porosi në SHBA, meqenëse ka akuza për lobimin 700 mijë dollarësh të padeklaruar.
Një letër-porosi e pestë pritet të niset drejt Qipros aty ku përflitet për kompanitë “offshore”, por prokurorët kanë pak shpresë që Qipro t’i përgjigjet drejtësisë shqiptare.
Çështja e tretë e hapur në SPAK bazohet në denoncimin e gazetarit Adriatik Doci, i cili akuzon çiftin presidencial për shpërdorim detyre dhe pastrim parash.