Raporti i DASH, Basha: Ekonomia shqiptare buzë greminës

Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas raportit të DASH për klimën e biznesit në Shqipëri.

Basha shprehet në Faceboo se raporti është një alarm që ekonomia shqiptarë është buzë greminës, pasi vetëm këtë vit, sipas tij ka 100 milionë euro më pak investime.

Sipas tij, investitorët e mëdhenj, strategjikë dhe seriozë u zëvendësuan me kompani offshore, PPP dhe koncesionet korruptive

“Lufta kundër korrupsionit, anulimi i PPP-ve korruptive, ulja e taksave dhe taksa e sheshtë 9% do ta bëjnë Shqipërinë vendin e investimeve të mëdha”, shprehet Basha.

Deklarata e plotë
Është alarmante situata e investimeve të huaja në Shqipëri. Vetëm gjatë këtij viti, shifra e rënies së investimeve është 100 milionë euro. Çuarja e ekonomisë shqiptare buzë greminës së falimentit, është një nga shqetësimet kryesore të pasqyruara në raportin e përvitshëm të DASH, që rendit si arsye korrupsionin e qeverisë shqiptare, shkatërrimin e tregut dhe konkurrueshmërisë nga PPP-të, ligjet abuzive në lidhje me pronat dhe gjithashtu konçesionet korruptive.

Asgjë nuk e fsheh dot më rritjen e varfërisë dhe papunësisë, ekonominë e rrënuar dhe largimin masiv të shqiptarëve. Çdo raport ndërkombëtar flet qartas për mungesën e klimës pozitive për biznesin dhe investimet e huaja.

Dy investitorët e vetëm strategjike, TAP dhe Devolli, po e perfundojnë punën e tyre të nisur që në kohën e qeverisjes së PD. Në 7 vite, në Shqipëri ka mbizotëruar klima e largimit të investitorëve strategjikë dhe seriozë. Në vend të tyre lulëzuan kompanitë offshore, PPP-të dhe konçensionet, që veç korrupsionit në çdo hallkë, nuk ofruan asnjë shërbim cilësor apo përmirësim të jetës së qytetarëve.

Në këto kushte, një nga angazhimet e mia parësore, është që t’i kthej shqiptarëve mundësinë e tregut të lirë dhe frymëmarrjen konkurrencës së ndershme në çdo sektor të ekonomisë. Lufta kundër korrupsionit, anullimi i PPP-ve korruptive, ulja e taksave dhe taksa e sheshtë 9% do ta bëjnë Shqipërinë vendin e investimeve të mëdha dhe serioze, që bashkë me zhvillimin ekonomik do të sjellë dhe rritjen e numrit të vendeve të reja të punës me paga dinjitoze.


Shtuar 13.09.2020 07:46