Kjo e hënë, 14 shtator shënon hapjen e shkollave të cilat u mbyllën prej marsit si pasojë e pandemisë. E pse ministria ka marrë një vendim të tillë, shumë nxënës në Kosovë rezultojnë të infektuar.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, deri tani janë regjistruar 334 raste me COVID-19 te fëmijët deri në moshën nëntë (9) vjeçare.
Ndërkohë 493 raste pozitive janë paraqitur te grupmoshat nga 10 deri në 19 vjet. Sipas mikrobiologut Lul Raka, rreziku i përhapjes së virusit me hapjen e shkollave ekziston, mirëpo pikërisht ky fakt duhet t’i aktivizojë të gjithë. Por, gjasat për t’u infektuar shtohen edhe për shkak të numrit të madh të nxënësve nëpër klasa.
Sipas Rinor Qehajës nga Instituti Edguard, në Kosovë ka shkolla ku numri i nxënësve për klasë kalon shifrën 40.
Ndërkohë mungesa eventuale e nxënësve në shkollë, të cilët janë të infektuar me COVID-19, mund të ndikojë negativisht në mësimnxënie.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës një ditë më parë ka njoftuar se procesi mësimor do të fillojë në dy faza, një pjesë e nxënësve do të fillojnë mësimin më 14, e të tjerët më 21 shtator.