Vrasja e Triumf Rizës në Kosovë, Enver Sekiraqa deklarohet sërish i pafajshëm

Për shkak të përbërjes së re të trupit gjykues, ditën e sotme ka vijuar gjykimi ndaj Enver Sekiraqës, i cili po akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi, bëri të ditur se është ndërruar një anëtare e trupit gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në përbërje të trupit gjykues, më parë ka qenë anëtare gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, ndërsa tani sipas gjykatësit anëtar do të jetë gjykatësi Ngadhnjim Arrni.

Pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, Sekiraqa sërish u deklarua i pafajshëm për veprat penale që i vihen në barrë.

Ish i fejuari i Adelinës, Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet. Por çështja po gjykohet sërish, ndaj kërkohet edhe njëherë dëshmia e motrave Ismaili.


Shtuar 15.09.2022 15:46