Ermir Lenjani vazhdon të mbetet një element i rëndësishëm për kombëtaren e Shqipërisë. Madje, në grumbullimin e fundit gjeti edhe rrugën e rrjetës në ndeshjen ndaj Andorrës. Së fundmi, në një intervistë për RTV Dukagjini, Lenjani thekson se sa herë grumbullohet me kuqezinjtë kantë njëjtat emocione si të ishte hera e parë. Sakaq, tregon se goli më i veçantë me Shqipërinë është ai ndaj Danimarkës në kualifikueset për Euro 2016.
“Mendoj që me Andorrën dhe San Marinon kanë qenë dy fitore të obliguara për të marrë 6 pikë. Anglia normalisht ka qenë më e vështirë, sepse i ka lojtarët indiviualisht me kualitete shumë të mëdha që luajnë më ekipe të mëdha. Por tani duhet të shikojmë Hungarinë dhe Poloninë. Të marrim sa më shumë pikë për të arritur qëllimin për tu kualifikuar në Botëror. Kemi shanse shumë të mira. Me Poloninë dhe Hungarinë janë vendimtare për të marrë pikë dhe për të luftuar për vendin e dytë.
Jam që prej 8 viteve në Kombëtare. Sa herë grumbullohemi më duket si dita e parë. Jam shumë i lumtur, jam shumë krenar. Tani mendoj që kemi më shumë kualitete se sa kemi pasur. Janë shumë lojtarë të mirë që luajnë me ekipe të mira dhe të mëdha. Kemi shanse të mira siç kemi bërë në Europian, të shkruajmë histori. Goli më i veçantë mendoj ai kundër Danimarkës. Ishte një lojë vendimtare në shtëpi dhe ajo me të gjithë tifozët në stadium ka qenë diçka shumë emocionuese për mua.
Kosova ka për të pasur shumë suksese në të ardhmen, sepse ka shumë lojtarë të rinj. Lojtarë të rinj që luajnë me ekipe shumë të forta në Europë. Duhet të ketë pak durim dhe jam i bindur se do të jetë shumë e suksesshme”, u shpreh Lenjani.