Pas lirimit si zv/ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ardi Veliu merr zyrtarisht postin e drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP). Kujtojmë se ai u lirua nga detyra e zv/ministrit në të njëjtën ditë kur u shkarkua dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Kujtojmë se dhe Veliu ka qenë drejtor i Policisë së Shtetit para Nanos.
Njoftimi i plotë:
Prezantohet Drejtori i ri i AMP
U prezantua sot Drejtori i ri i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) Ardi Veliu, i cili zëvendēson nê këtë post zotin Muhamet Rrumbullaku.
Ish-Drejtori Rrumbullaku drejtoi Agjencinë me rezultate të larta në një proces reformimi, duke u shndërruar në një strukturë më civile në ushtrimin e kontrollit dhe mbikëqyrjen e Policisë së Shtetit, Gardën e Republikës dhe Shërbimin Zjarrfikës.
Falë punës këmbëngulëse dhe intensive të AMP nën drejtimin e z. Rrumbullaku, Agjencia ka kaluar përmes një procesi transformues duke u shndëruar në pararojë e zbatimit të ligjit në kuadrin e goditjes së fenomeneve negative si paligjshmëria dhe korrupsioni në rradhët e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Rezultatet e arritura nga AMP gjatë kësaj periudhe, e kanë bërë Agjencinë një nga institucionet më të mbështetura nga publiku sa i përket reagueshmërisë dhe zbatimit të ligjit.
Drejtor Veliu emërohet në krye të AMP pas një përvoje të gjatë menaxheriale në strukturat e Policisë së Shtetit, si dhe detyrës si zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Ai u angazhua për vijimin e punës, në thellimin e reformave të nisura./albeu.com