Foto ilustruese
Gazmend Çela, ish-zëvendësdrejtori i Pasurive Publike në Lushnje është liruar nga burgu kur ka kaluar një vit e një muaj nga arrestimi i tij. Vendimi është marrë sot nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Çela u dënua me 2 vite e 6 muaj burg, por përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe i mbeti të kryente vetëm 1 vit e 8 muaj burg. Për pesë vite ai është përjashtuar nga funksionet publike. Më herët është liruar nga qelia edhe biznesmeni Ibrahim Lami.
Si ndodhi arrestimi i kryebashkiakut Fatos Tushe e zyrtarëve në Lushnje?
Tushe u arrestua për korrupsion me tenderin me vlerë 24 milionë lekë për rehabilitimin e kanaleve vaditës në Lushnjë dhe me vendim të Këshillit të Ministrave u shkarkua nga detyra. Tushe ankimoi vendimin e marrë në Gjykatë Kushtetuese, pasi vijon ta konsiderojë veten të pafajshëm dhe se është shkarkuar në mënyrë të padrejtë nga detyra. Tushe u dënua me 2.4 vite burg për korrupsion me tenderin me vlerë 24 milionë lekë për rehabilitimin e kanaleve vaditës në Lushnje.
E gjitha nisi për një tender me vlerë rreth 24 mln lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj. Ky tender u fitua nga kompania EuroAlb shpk, që kishte sjellë ofertën më të lartë, por më pas punimet, fitimet dhe punën e ka bërë një kompani tjetër, e biznesmenit Ibrahim Lami. Por jo vetëm kaq! Tushe ka dalë në përgjime edhe teksa abuzon me karburantin e shtetit, e po ashtu ka dalë në përgjime se ka ndërhyrë për një banesë që po ndërtohej pa leje, që inspektorët të mos shkonin për kontroll.
Në burg shkuan edhe 7 zyrtarë të tjerë të bashkisë si dhe për 4 të tjerë u vendos masa e sigurisë arrest shtëpie./albeu.com