Policia ka vënë në pranga një 21-vjeçar nga Kamza, pasi u kapë duke transportuar emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit. Arrestimi i tij u bë në Pogradec, ku gjatë kontrollit, në mjetin e tij tip “Opel” kishte 6 emigrantë të paligjshëm të cilëve u kishte premtuar vendet e BE-së kundrejt pagesës.
Njoftimi i policisë:
Qarku Korçë
Vijon operacioni policor “Perimetri 189”.
U kap duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit, vihet në pranga 1 tjetër shtetas.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) Korçë, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. V., 21 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.
Shërbimet e Policisë e kanë kapur këtë shtetas, në dalje të qytetit të Pogradecit, duke transportuar me mjetin tip “Opel”, në drejtim të Tiranës, 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.