Dështon “importi” i të huajve, Shqipëria përdoret si trampolinë

Që para pandemisë Covid-19, agjencitë e punësimit sollën disa punonjës nga Bangladeshi për të punuar sipas kërkesave të bizneseve shqiptare.

Përfaqësuesit e agjencive shprehen se kur erdhën afrikanët e parë e deri më tani, tregu shqiptar i punës shfaqi problematika të thella në drejtim të informalitetit, kontratave të punës, burokracive dhe trafikut të paligjshëm.

Pavarësisht ndryshimit të ligjit për punësimin e të huajve ka sërish burokraci nga zyrat e punës për regjistrimin e tyre. Disa ndërmarrje që kanë punësuar të huaj, gjatë kësaj kohe nuk janë treguar korrekte me kontratat dhe kushtet e tjera, duke krijuar një imazh jo të mirë të vendit ndaj punonjësve të huaj.

Por punonjësit nga Azia dhe Afrika që më herët kishin menduar të përdornin Shqipërinë për trampolinë. Ata ishin të pajisur me dy pasaporta. Njërën e dorëzonin te kompania ku ishin të punësuar bashkë me dokumentet e tjera, ndërsa pasi marrin informacionin e duhur emigrojnë në Europë me pasaportën tjetër.

Paga mesatare në Shqipëri është së paku tre herë më e ulët se në BE, ndaj punonjësit nga Afrika dhe Azia nuk synojnë të rrinë gjatë në Shqipëri.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, është skeptik për zëvendësimin e forcës së punës. Ai shprehet se bizneset shqiptare kanë pasur humbje historikisht të larta për shkak të mangësive në kompetenca të punonjësve shqiptarë. Për shembull, për shkak të mungesës së inxhinierëve të mirë dhe mekanikëve, një fabrike mund t’i krijohen mijëra euro humbje për neglizhencë.

Ndaj furnizimi me punonjës nga vende që nuk paraqesin kualifikim dhe kompetenca, në vend që të përmirësojë produktivitetin, rrezikon ta cenojë më tej. Jaka tha se, emigracioni në mënyrë të organizuar duhet të ishte bërë mbi studim paraprak, ku të përcaktoheshin qartë nevojat për fuqi punëtore, sipas sektorëve dhe më pas të përzgjidheshin vendet me aftësi më të mira në këto fusha.

Cilësia e dobët dhe rrudhja e kapitalit human, po mban peng produktivitetin

Në një studim të fundit mbi potencialet e zhvillimit të sektorit privat në Shqipëri, Banka Botërore zbuloi se forca e punës dhe mungesa aftësive janë shndërruar në një pengesë serioze për zgjerimin e biznesit.

Sipërmarrjet shqiptare identifikojnë mungesën e punëtorëve të kualifikuar si pengesën e tretë më të madhe me të cilat përballen. Kërkesa për punëtorë me arsim të lartë është rritur në dekadën e fundit dhe është në rritje, por shumë biznese pohuan se kishin vështirësi në gjetjen e punëtorëve me aftësi specifike teknike. Treguesi i Dhomës Amerikane për aftësitë e fuqisë punëtore u përkeqësua në mënyrë të qëndrueshme midis 2013 dhe 2019.

Pavarësisht se të rinjtë kanë nivelet më të larta të arsimit se gjeneratat e vjetra, ata përballen me vështirësi në tregun e punës. Shkalla e papunësisë tek të rinjtë ishte 27%, sa dyfishi i mesatares për popullsinë në moshë pune. Për më tepër, një e treta e tyre, nuk janë as të punësuar dhe as të regjistruar në arsim dhe trajnim. Cilësia e arsimit duket si një pengesë për aksesin në tregun e punës vende për popullatën e re. Në programin e Vlerësimit Ndërkombëtar PISA, testet e vlerësimit të nxënësve tregojnë probleme cilësore edhe në aftësitë bazë si shkrim-leximi.

Punëdhënësit pohojnë se të rinjtë e diplomuar nga sistemi i arsimit të përgjithshëm (zakonisht ata të cilët kualifikohen për punë me aftësi më të larta) u mungojnë njohuritë e përditësuara dhe aftësitë praktike. Bizneset raportojnë se kanë vështirësi në gjetjen e punëtorëve për profesione shumë të kualifikuara.

Mungesa e punëtorëve është një pengesë veçanërisht serioze për kompanitë e huaja që duan të investojnë në Shqipëri.

Firmat me pronësi të huaj që operojnë në Shqipëri identifikuan gjetjen e punëtorëve të kualifikuar si sfida e tyre e dytë më e rëndësishme. Emigrimi ka të ngjarë të reduktojë më tej numrin dhe cilësinë e aftësive të fuqisë punëtore, duke dobësuar atraktivitetin e Shqipërisë si destinacion në sektorët me intensitet të krahut të lirë të punës.

Banka Botërore sugjeron se, Shqipëria duhet të largohet nga politikat e investimeve të huaja, të fokusuar në fuqinë punëtore me kosto të ulët dhe të miratojë një strategji të re, të bazuar në shfrytëzimin e investimeve publike në arsimin teknik, tërheqjen e IHD-ve që kërkojnë efikasitet dhe kanë produktivitet më të lartë.

Emigrimi i punonjësve shqiptarë drejt BE-së dhe vendeve të tjera, së bashku me përqindjen e ulët të pjesëmarrjes në tregun e punës, zvogëlon disponueshmërinë e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe kufizon rritjen e produktivitetit, analizon Banka Botërore.

Norma e lartë e migracionit po rezulton në humbjen e punëtorëve produktivë dhe sipërmarrës, dhe emigracioni joproporcional në moshat e reja po përshpejton plakjen demografike të fuqisë punëtore. Në vitin 2007, shqiptarët me nivelet më të ulëta të arsimimit ishin shtresa që emigronte më së shumti, por deri në vitin 2021 trendet e emigrimit ishin më të zakonshme te personat e arsimuar, të cilët po përfitojnë nga kërkesa e vendeve perëndimore si Gjermania për punonjës të kualifikuar./Monitor.al